Shqipëria digjet, Edi Rama krihet me Kod Detar

Nga Grigels Muçollari

Një parlament, sado i kontrolluar dhe nën komandën e një autokrati të jetë, s’ka se si të bëhet aq qesharak sa sot. Kërkesat e protestës janë mbështetur nga Parlamenti Europian dhe Brukseli i ka kërkuar Edi Ramës trajtimin e tyre sa më shpejt. Opozita, Partia Demokratike, prej më shumë se një muaji ka depozituar në Kuvend kërkesën për të diskutuar mbi ato nisma që kanë të bëjnë me anulimin e Ligjit të Investitorëve Strategjikë dhe anulimin e ndryshimeve që u bënë në Ligjin për Zonat e Mbrojtura. Pra, anulimin e ligjeve qoka, për miqtë dhe oligarkët e Kryeministrit. Kur dëgjova në lajme se shumica kishte vendosur të ndryshonte rendin e ditës dhe të sillte në krye të angazhimit Kodin Detar, nuk po e besoja.

Sheshi ka 50 ditë që ka vendosur rendin e ditës, ka marrë mbështetjen e shumicës së shqiptarëve, të partnerëve dhe të mediave më të mëdha të botës, Edi Rama fut Kodin Detar!

Çfarë i bën të jenë kaq harbutë, kaq arrogantë, kaq të dhunshëm në shpërfilljen ndaj njerëzve, ndaj protestuesve, ndaj opozitës, ndaj europarlamentarëve?

E vetmja përgjigje që më vjen në mend është se Edi Rama i ka “nënshkruar” tanimë të gjitha aferat, ato që kanë nisur dhe ato që parashikohen në librin “Albanian Files”. Me siguri është dhënë edhe haraçi. Se nuk e ka menduar që populli do të ngrihet. Tani s’bën dot hapa pas. Nuk funksionon më logjika. Ai do të heqë dorë nga bërja plaçkë e Shqipërisë, vetëm i detyruar.