Botërori me 48 skuadra mund të mbetet histori, CONMEBOL njofton: Në vitin 2030 do të marrin pjesë 64 kombëtare
Edicioni i vitit 2026 ishte i pari në histori me pjesëmarrjen e 48 kombëtareve, por duket se do të jetë edhe i fundit me këtë format. Presidenti i Konfederatës së Futbollit të Amerikës së Jugut (CONMEBOL), Alejandro Dominguez, ka njoftuar se Kupa e Botës 2030 do të zhvillohet me plot 64 skuadra.
Lajmi u bë publik përmes një postimi të Dominguez në rrjetin social X, ku ai konfirmoi zgjerimin e mëtejshëm të turneut në prag të 100-vjetorit të Kupës së Botës.
“Botërori i ardhshëm do të luhet në shtëpinë tonë. Në vitin 2030, Kupa e Botës vjen në Uruguai, Argjentinë dhe Paraguai. Është një mundësi e jashtëzakonshme për futbollin që të festojë njëqindvjetorin e këtij kompeticioni me një turne ku do të marrin pjesë 64 kombëtare”, shkroi kreu i CONMEBOL-it.
Një Botëror historik në tri kontinente
Edicioni i vitit 2030 do të jetë unik, pasi do të organizohet në gjashtë vende dhe në tri kontinente. Organizatorët kryesorë janë Spanja, Portugalia dhe Maroku, ndërsa Uruguai, Argjentina dhe Paraguai do të mirëpresin ndeshjet hapëse për të përkujtuar 100-vjetorin e Botërorit të parë, i cili u zhvillua në Uruguai në vitin 1930.
Megjithatë, nëse formati me 64 skuadra konfirmohet, nuk përjashtohet mundësia që tri vendet e Amerikës së Jugut të organizojnë më shumë se vetëm nga një ndeshje, siç parashikohej në projektin fillestar.
Pyetje të reja për ndarjen e vendeve
Zgjerimi nga 48 në 64 skuadra hap një debat të ri për mënyrën e shpërndarjes së vendeve mes konfederatave.
Në zgjerimin e fundit, Europa përfitoi vetëm tri vende shtesë, duke kaluar nga 13 në 16 kombëtare pjesëmarrëse, pavarësisht dominimit të saj në futbollin botëror. Pas paraqitjeve të skuadrave europiane në Botërorin 2026, shumë zëra kërkojnë që UEFA të ketë një numër më të madh përfaqësuesish në edicionin e ardhshëm.
Nëse propozimi i CONMEBOL-t miratohet zyrtarisht nga FIFA, Botërori 2030 do të vendosë një tjetër rekord historik, duke u bërë edicioni me numrin më të madh të kombëtareve pjesëmarrëse dhe një nga turnetë më të mëdhenj sportivë të organizuar ndonjëherë.