Rusia dhe Ukraina sulmojnë njëra-tjetrën me dronë
Shtëllunga të mëdha tymi u panë në qiellin e rajonit të Moskës më 20 korrik pasi sulmet me dronë ukrainas goditën një depo nafte dhe objekte logjistike, duke plagosur dhjetë persona. Kievi u zotua se do të përgjigjet ndaj sulmeve vdekjeprurëse ruse që vranë disa persona.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, konfirmoi sulmet ndaj një depoje nafte dhe objekteve logjistike në rajonin e Moskës më 20 korrik, duke shtuar se janë goditur gjithashtu dy cisterna nga “flota në hije” e Rusisë dhe katër anije mallrash, teksa Ukraina lëshoi qindra dronë gjatë natës.
Në javët e fundit, Ukraina ka intensifikuar sulmet ndaj objekteve energjetike dhe logjistike ruse, përfshirë edhe sulmin ndaj një depoje të kompanisë Wildberries gjatë fundjavës, ku u vranë shtatë persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.
Kompania e shitjeve online, më e madhja në Rusi, tha se pezulloi përkohësisht shërbimet më 20 korrik si masë parandaluese, por i riktheu operacionet pak më vonë.
Ukraina e ka akuzuar Wildberries-in, që shpesh krahasohet me Amazon-in në Rusi, se shet furnizime ushtarake të përdorura nga Rusia për luftë, përfshirë produkte me përdorim të dyfishtë si jelekë antiplumb dhe teknologji për vëzhgim.
“Ne po përgjigjemi, në mënyrë të drejtë, ndaj çdo sulmi rus kundër qyteteve dhe komuniteteve tona”, tha Zelensky përmes një postimi në rrjetet sociale, duke konfirmuar sulmet me dronë ukrainas ndaj rajonit të Moskës. Ai shtoi se “sanksionet tona me rreze të gjatë veprimi kanë dhënë rezultate kundër objekteve logjistike dhe një depoje të naftës”.
Sulmet u kryen pasi një raketë ruse goditi një anije që transportonte misër pranë portit ukrainas të Odesës, kur u vranë dhjetë persona.
Marina ukrainase tha se anija Golden Leo, me flamur të Guinea-Bisaut dhe me ekuipazh nga India dhe Siria, u përfshi nga flakët pasi u godit nga tri raketa lundruese ruse më 19 korrik.
Pas operacioneve të kërkim-shpëtimit të kryera gjatë natës gjetën u tha se nëntë anëtarë të ekuipazhit dhe një pilot detar humbën jetën, ndërsa tetë nga 17 anëtarët e ekuipazhit u shpëtuan.
Shefi i njësiteve ukrainase të dronëve, Robert Brovdi, shkroi në Telegram se forcat e tij kishin goditur shtatë anije ruse në Detin e Zi dhe Detin Azov, si dhe shtatë objekte energjetike në Krimenë e okupuar nga Rusia.
Brovdi tha se që nga 1 korriku, operacionet ukrainase kanë goditur 183 anije ruse, 103 objekte energjetike dhe 25 elemente të mbrojtjes ajrore, duke ulur për 75 për qind kapacitetin e kalimit me traget në ngushticën e Kërçit.
Ndërkaq, Forcat Ajrore të Ukrainës thanë më 20 korrik se Rusia kishte kryer një sulm gjatë natës ndaj Ukrainës duke përdorur dy raketa ajrore dhe 94 dronë sulmues.
Forcat ruse sulmuan për herë të parë qytetin Pavlorad me bomba të modernizuara ajrore, tha më 20 korrik kreu i administratës rajonale.
Në një tjetër sulm rus me bomba ajrore ndaj Zaporizhjës, guvernatori rajonal Ivan Fedorov raportoi se një person u vra dhe pesë të tjerë u plagosën mëngjesin e 20 korrikut. Si pasojë e sulmit u dëmtuan ndërtesa banimi dhe ndërtesa të tjera./ REL/