Teliti: Leku nuk është forcuar nga ekonomia, por nga paratë e pista të drogës dhe korrupsionit
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Dorian Teliti, deklaroi në emisionin e Arnold Kariqit në Syri TV se forcimi i lekut nuk është rezultat i një ekonomie më të fortë, por pasojë e hyrjes së flukseve të parave të pista në vend. Sipas tij, ekonomia shqiptare vijon të ketë rritje të dobët, ndërsa sektorët kryesorë të prodhimit ndodhen prej vitesh në rënie.
Teliti argumentoi se bujqësia dhe industria prodhuese janë në recesion, ndërsa sektori i ndërtimit është deformuar nga paratë që, sipas tij, burojnë nga korrupsioni, klientelizmi dhe aktivitetet kriminale.
Ai theksoi se zhvlerësimi i euros dhe forcimi i lekut nuk gjejnë shpjegim në teorinë ekonomike, por lidhen me qarkullimin e parave informale në ekonominë shqiptare.
Intervista në studio:
Kariqi: Në fakt, situatën e ekonomisë euro, e cila nuk po ndalet nga rënia. Çfarë po ndodh?
Teliti: Fatkeqësisht ajo që po ndodh është një zhvlerësim i euros dhe një fuqizim i monedhës kombëtare, i cili në rast se do të vinte nga fuqizimi real i ekonomisë shqiptare do të ishte lajm i mirë. Ama, në momentin që nuk kemi një fuqizim të ekonomisë shqiptare në gjithë këto 10 vitet e fundit, nga 2015-ta, e 14-ta e në vazhdim. Pra që kemi një rritje ekonomike anemike, tre herë, katër herë më poshtë potencialit të ekonomisë shqiptare. Që mbahet në këmbë nga sektorë sporadikë, po jo nga sektorët e prodhimit shqiptar siç është bujqësia dhe industria prodhuese. Që mbahet në këmbë nga një sektor ndërtimi, ku ne e dimë shumë mirë që pastron miliarda euro në vit, nga burime nga më të ndryshmet të brendshme, nga klientelizmi, korrupsioni, informaliteti apo dhe të huaja që vijnë nga kriminaliteti, droga, kështu me radhë, kjo përbën një këmbanë alarmi për të gjithë ne. Kjo përbën këmbanë alarmi sepse, siç e thashë, nëse do të kishim një zhvillim të ekonomisë shqiptare me 6, 7, 8% rritje reale të saj, kjo do të ishte normale, një fuqizim edhe i monedhës gradualisht vit pas viti. Por kjo nuk është se ka ndodhur në rastin shqiptar. Në rastin shqiptar filloi fuqizimi i euros... apo fuqizimi i lekut shqiptar që kur filloi kanabizimi i Shqipërisë. Dhe ju e mbani mend, në vitin 2015 ishte kanabizimi, 16-tën, 17-tën, ishte Shqipëria u bë nga një Lazarat i vetëm që ishte problematikë më përpara, u bë që vetëm Lazarati nuk mbillte kanabis, po mbillte gjithë Shqipëria. Edhe që aty filloi domethënë elementi i zhvlerësimit të euros pikërisht nga fakti i flukseve të mëdha të euros së krijuar si në tregun vendas, po ashtu dhe nga tregjet e huaja që vinin drejt Shqipërisë.
Kariqi: Paratë e pista e thënë troç.
Teliti: Paratë e pista, paratë e krimit, paratë e drogës. E gërshetuar kjo dhe me miliardat e korrupsionit të 13 viteve të qeverisë, kanë bërë që ne sot e kemi në mënyrë të pashpjegueshme. Si nga ana e teorisë ekonomike, teorive ekonomike se ka teori për ekonominë. Ka shkencëtarë që kanë folur prej vitesh e dekadash mbi këto lloj fenomenesh. Dhe njëkohësisht edhe nga praktika e vendeve të tjera. Nuk ka ndodhur në asnjë vend që një vend që ka një rritje ekonomike sporadike, anemike që ka Shqipëria, t'i fuqizohet kaq shumë monedha kombëtare. E dëgjuam, ju e përmendët, e dëgjuam edhe kryeministrin para disa ditësh. Unë kam disa pyetje shumë të thjeshta. Një vend i cili nuk ka prodhim, ose prodhimi i saj vjen e ulet vit pas viti në të vërtetë, si mund të fuqizohet ekonomia e saj?
Kariqi: Pra, çfarë industrie ka Shqipëria?
Teliti: Ne kemi nga viti 2000, ne kemi... dy janë sektorët prodhues të ekonomisë shqiptare. Është sektori i bujqësisë që prodhon produktet bujqësore dhe blegtorale. Është dhe sektori i industrisë prodhuese. Hapi shifrat e zyrtarëve të vetë qeverisë shqiptare. Të dy këta sektorë janë në reçesion prej katër vitesh. Nga 2021-shi është njëri sektor dhe nga 2022-shi është sektori i industrisë. Janë në rënie të vazhdueshme. Pra ne prodhojmë gjithnjë e më pak produkte bujqësore shqiptare, prodhojmë gjithnjë e më pak edhe produkte të industrisë prodhuese. Tani këto i prodhojmë më pak, por ama fuqizohet monedha kombëtare. Në cilin libër të teorive ekonomike gjendet ky lloj binomi? Në asnjë vend, në asnjë lloj diku tjetër. Por fakti që kemi rënie të prodhimit shqiptar, dhe nga ana tjetër kemi fuqizim të monedhës kombëtare, edhe për ata që janë ekspertë e kuptojnë shumë mirë këtë lloj diskursi, kjo vjen vetëm nga një justifikim. Nga flukse jozyrtare të parasë, monedhës euro, i cili ne e dimë shumë mirë, ka depërtuar në tregun shqiptar në mënyrë marramendëse, i cili ka treguesin e saj kryesor e ka te deformimi i sektorit imobiliar, i sektorit të ndërtimit. Që nga ajo... që kur hapet ajo gropa e një ndërtese, e një pallati apo dhe e një kulle, ne e dimë shumë mirë që aty financohen paratë e pista, paratë e krimit, të drogës, klientelizmit, korrupsionit. Dhe deri në përfundim dhe në shitjet e tyre, bëhen ato aferat që këtej deklarohen me referenca, po në anën tjetër çmimet reale të blerjes së tyre janë dy, tre apo katër dhe pesë herë ndoshta më të larta, sepse tregu dhe referencat janë dy gjëra të ndryshme nga njëra-tjetra. Tani fakti që ne kemi këtë fuqizim, të paardhur nga fuqizimi i ekonomisë shqiptare, këtu nuk ka shpjegim as teorik dhe as praktik. Ky varianti që katra bëhet tetë dhe teta bëhet 12, kjo qëndron vetëm në aferat korruptive dhe qëndron te fryrja e çmimeve, të referencave të ndërtimit për rrugët. Ku rrugët në Shqipëri në kohën e qeverisë së Partisë Demokratike ndërtoheshin me 1 apo 2 milionë euro kilometri, dhe ne e dimë shumë mirë se janë shifra zyrtare të prokurimeve publike. Ndërkohë që sot ndërtohen me 10, 15, 20 dhe 24 milionë euro kilometri, siç ishte rasti i Unazës.