Argjentina, një finale për t’u harruar: statistika tronditëse dhe kritika të forta ndaj Scaloni-t

Argjentina humbi finalen e Kupës së Botës 2026 ndaj Spanjës jo vetëm në rezultat, por edhe në mënyrën e lojës. “Albiceleste” u mposht 1-0 nga një gol i Ferran Torres-it në kohën shtesë, por ajo që la më shumë shije të hidhur ishte paraqitja e skuadrës së Lionel Scalonit, e cila për 120 minuta nuk arriti të tregonte thuajse asgjë në aspektin ofensiv.

Në një finale ku pritej një duel i madh mes dy kampioneve, Spanja dominoi dhe meritoi trofeun, ndërsa Argjentina u mbështet pothuajse vetëm tek Emiliano “Dibu” Martinez. Portieri, që pritet të jetë pjesë e Juventusit në të ardhmen, ishte lojtari që mbajti gjallë shpresat e kampionëve në fuqi me disa ndërhyrje vendimtare.

Pas një pjese të parë më të ekuilibruar, Argjentina u tërhoq gjithnjë e më shumë dhe mendoi vetëm për mbrojtjen. Strategjia e Scalonit rezultoi e gabuar, pasi Spanja kontrolloi lojën, krijoi më shumë raste dhe në fund mori atë që kërkoi.

Messi, viktimë e strategjisë së gabuar

Një nga humbësit më të mëdhenj të kësaj finaleje ishte edhe Lionel Messi. Kapiteni argjentinas ëndërronte të fitonte Kupën e Botës për herë të dytë radhazi dhe të shkruante një tjetër kapitull historik në karrierën e tij, por në fushë ishte pothuajse i izoluar.

Vendimet e Scalonit, duke nisur nga aktivizimi i Nico Gonzalez-it në formacionin titullar deri te mosfutja e Lautaro Martinez-it, një nga lojtarët më në formë të Argjentinës, ndikuan negativisht në lojën e skuadrës. Messi preku shumë pak topa dhe nuk arriti të ishte protagonisti që të gjithë prisnin.

Madje, edhe Topi i Artë 2026, që dukej se ishte shumë pranë tij pas paraqitjeve në Botëror, tashmë mund të përfundojë në duart e një tjetër lojtari.

L’Equipe me kritika të ashpra: Do të kishte qenë një grabitje historike

Gazeta prestigjioze franceze L’Equipe ishte ndër më të ashpra në analizën e saj për paraqitjen e Argjentinës.

“Argjentinës nuk i duhej një mrekulli për të fituar, por grabitja më e madhe në historinë e finaleve të Kupës së Botës, sepse kampionët në fuqi as nuk luajtën, as nuk sulmuan. Edhe duke e çuar ndeshjen në terrenin e tyre të preferuar, ata nuk ekzistuan”, shkroi media franceze.

Edhe pse fjalët janë të forta, statistikat e finales në stadiumin ‘MetLife’ duket se i japin të drejtë kësaj analize.

Statistikat tronditëse të Argjentinës

Argjentina u bë skuadra e parë në historinë e Kupës së Botës që nuk regjistroi asnjë goditje në kuadrat gjatë një finaleje.

Vetëm Lionel Messi dhe Giuliano Simeone provuan të gjuanin në minutat e fundit të shtesës, por asnjëri nuk arriti të rrezikonte portierin spanjoll Unai Simon.

Një tjetër statistikë domethënëse është se deri në minutën e 117-të, vlera e golave të pritshëm (xG) e Argjentinës ishte zero, duke treguar mungesën totale të rrezikut ofensiv.

Madje, në 15 minutat e para të ndeshjes, Messi nuk kishte prekur asnjë top, një situatë e pazakontë për një futbollist që zakonisht është qendra e çdo aksioni sulmues.

Sipas të dhënave të Opta-s, nga 900 ndeshje të analizuara në Kupën e Botës që nga viti 1966, vetëm tri skuadra nuk kanë bërë asnjë goditje në kuadrat në një ndeshje të turneut: Argjentina në finalen e 2026, Kosta Rika ndaj Spanjës në Botërorin 2022 dhe Brazili kundër Argjentinës në vitin 1990.

Spanja dominoi në çdo aspekt

Një tjetër tregues i dominimit spanjoll ishte edhe posedimi i topit: “La Roja” kontrolloi 65% të lojës dhe pati pothuajse dyfishin e pasimeve të Argjentinës.

Ironikisht, lojtari argjentinas që preku më shumë topa ishte portieri Emiliano Martinez, një tjetër dëshmi e vështirësive të mëdha të skuadrës së Scalonit.

Në fund, Spanja fitoi sepse kërkoi të luante futboll, ndërsa Argjentina u mbështet vetëm te karakteri dhe rezistenca. Por finalet e mëdha nuk fitohen vetëm me zemër dhe grintë, duhen edhe ide, guxim dhe lojë.