Haxhimali: Mbyllja e bashkive mbi baza politike, qytetarët nuk mund të paguajnë dështimet e qeverisjes
I ftuar në studion e lajmeve të Syri TV, Agron Haxhimali, ekspert i Komisionit të Reformës Territoriale, foli mbi zhvillimet e fundit që kanë shoqëruar reformën territoriale dhe debatet për riorganizimin e hartës së bashkive.
Ai u shpreh se Komisioni ka dështuar të prodhojë një raport të përbashkët mes palëve, pasi debati është zhvendosur nga kriteret dhe modeli i qeverisjes vendore te numri i bashkive që do të mbeten.
Haxhimali kritikoi qarkullimin e listave jozyrtare për shkrirjen e bashkive dhe deklaratat politike që trajtojnë institucionet vendore si pronë të deputetëve.
Ai kundërshtoi idenë e mbylljes së bashkive për shkak të performancës së dobët apo numrit të banorëve, duke theksuar se modeli i bashkive të mëdha nuk ka dhënë rezultatet e premtuara dhe se reforma duhet të mbështetet te përfaqësimi, identiteti lokal dhe afërsia e qeverisjes me qytetarët, jo te kalkulimet politike.
Pjesë nga deklarata:
Atëherë, nga ku jemi, po e fillojmë me një lajm që nuk është i mirë, por ama qytetarët besoj se duan ta dëgjojnë me vëmendje, për hir të transparencës. Komisioni nuk e mbylli punën e tij ashtu siç e kishte nisur, me interesin dhe vullnetin për një raport të përbashkët.
Tashmë kjo është evidente, po e përsëris. Çfarë do të thoshte? Që idealja do të ishte një raport i përbashkët, të gjenin e të zbatonin kritere të përbashkëta, modele të përbashkëta, t'u propozonin pastaj qytetarëve një, dy ose tre modele, të cilat ata do t'i preferonin më shumë për jetesën e tyre, për shërbimet e tyre dhe për përfaqësimin e tyre, e pastaj të kalonte në Parlament. Kjo fazë është djegur, megjithatë le të shpresojmë se mund të ketë ende shanse për t'u rikthyer.
Ku ndahen palët? Palët ndahen te numri i bashkive. A është e drejtë? Aspak nuk është e drejtë. A është parimore? Aspak nuk është parimore. Nuk futesh në një reformë territoriale me objektiva të qarta për numrin e bashkive. Mazhoranca do një numër më të vogël bashkish, ndërsa opozita, sikundër edhe në vitin 2022 dhe aktualisht, ka kërkuar një numër më të madh bashkish. Por, si e kam parë unë, që kam punuar me grupin e ekspertëve të opozitës dhe në komisionin parlamentar, nuk jam marrë me numrin; jam marrë me modelin e qeverisjes vendore, me kriteret që duhet të hartojmë, në mënyrë që të respektojnë përfaqësimin, distancën dhe shërbimin. Pra, unë shikoj modelin që ka lidhje me shpirtin, me historinë, me traditën, me kulturën, me identitetet lokale, sepse këto na bëjnë të fortë dhe të qëndrueshëm. Këtu janë ndarë partitë politike. Kjo është situata deri në këtë moment.
Lidhur me atë çfarë qarkulloi, për të qenë krejt profesional me ju dhe me studion tuaj të nderuar, unë i kam parë. Kam marrë me dhjetëra telefonata, reagime me të drejtë shqetësuese. Nuk besoj se shkohet në atë drejtim. Është e pafalshme, për mendimin tim, në qoftë se thuhet: "Do ta mbyllim Tepelenën se ka pak banorë", ndërkohë që ne themi se nuk duhet t'i mbyllim. E provuam njëherë që bashkitë e mëdha nuk na japin rezultatet e pritura. Një zmadhim i mëtejshëm nuk më siguron se do të jemi në rrugën e mbarë.
Ja pra, shikoni çfarë ndodh. Kjo është çështje e një komunikimi shumë të hapur, shumë provokues, shumë propagandistik, me disa nota publike, sikur të thuhet: "E kam unë dhe unë... nga unë ty nuk të gjen gjë, rri pa merak." Pra, shumë politike, shumë elektorale, aspak profesionale. Nuk ndodhin deklarata të tilla në një vend perëndimor, t'i thuash një komune apo një bashkie: "Rri pa merak se nuk të mbyll unë ty." A më kupton? Tani, kush je ti? Sepse bashkitë, institucionet dhe territoret nuk janë prona e asnjë deputeti.
Po ç'të them, tani kjo është gjuha. Nga kanë dalë ata emra? Në fakt, ekspertët e të dy palëve kanë bërë raportet e tyre. Raporti i mazhorancës, aq sa unë e kam lexuar, ka bërë një analizë dhe nxjerr se një pjesë e bashkive, pra nuk do të përmend emra se nuk jam korrekt, pasi nuk është burim zyrtar, nuk kanë performancë të mirë. Por unë, tani, në raportin që bëj, e kundërshtoj me argumente të tjera dhe krejt parimore, sepse nuk do të thotë që, për sa kohë një kryetar bashkie është në burg ose nuk ka performuar mirë, atëherë hajde ta mbyllim bashkinë. Për sa kohë një kryetar bashkie, apo një bashki, sado e madhe, e vogël apo mesatare qoftë, nuk ka performuar mirë në vaditje, në siguri, në infrastrukturë rrugore, në kullim, në mbrojtje apo në shërbime të tjera sociale, ne nuk mund të shkojmë t'i mbyllim bashkitë.
Sigurisht, mirë do të ishte të kishin zhvillimin e tyre ekonomik, por nuk është e thënë në asnjë literaturë. Le të kërkohet, le të shihet. Nuk duhet të trajtohen bashkitë si agjenci biznesi, edhe pse në njëfarë mënyre sjelljen e kanë të tillë, apo si ndërmarrje biznesi, ndërmarrje fitimprurëse. Politika e një shteti të mirë, siç e përcakton edhe Kushtetuta, është që t'i mbajë njësitë e qeverisjes vendore sa më pranë qytetarëve. Vërtet ka pasur, kohët e fundit, një tendencë për bashki më të mëdha, me parimin e ekonomisë së shkallës, por tashmë ka filluar të bjerë kjo teori. Edhe ne që punojmë në këtë fushë po e ndjejmë gjithmonë e më shumë faktin se jo gjithmonë bashkitë e mëdha na çojnë aty ku duhet, te ekonomia e shkallës, shërbimi dhe përfaqësimi cilësor, por po kalojmë nga bashki të mëdha te bashki pranë qytetarëve.