SYRI TV/ Bamir Topi dëshmon në gjyqin për ‘Partizanin': Procedura nën konsultim me ekspertë të NATO-s

Privatizimi i ish-klubit sportiv “Partizani” ka qenë një procedurë e ligjshme dhe nën asistimin e vazhdueshëm të ekspertëve më të njohur të NATO-s, deklaroi këtë të hënë para togave të zeza, në cilësinë e dëshmitarit, ish-presidenti Bamir Topi. Ai mohoi kategorikisht që për privatizimin e pronës të ketë pasur ndërhyrje apo presion nga Sali Berisha apo Jamarbër Malltezi. Topi sqaroi se koha e këtyre procedurave përkonte me procesin e anëtarësimit në NATO dhe bëhej fjalë për një ambicie madhore për vendin. Edhe ish-drejtori i Administrimit dhe Shitjes së Pronave në Ministrinë e Financave, Urim Muja, i qëndroi me insistim pretendimit të tij, duke e konsideruar procedurën e privatizimit si diçka totalisht normale dhe brenda çdo kuadri ligjor.

Ish-Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dëshmoi këtë të hënë në Gjykatën e Posaçme, si dëshmitar i kërkuar nga SPAK, në procesin gjyqësor për dosjen “Partizani”. Topi deklaroi se në këtë çështje janë zbatuar ligji dhe prioritetet e qeverisë së kohës. Ai theksoi se procedurat për kthimin e pronës tek ish-pronarët e ish-klubit sportiv “Partizani” janë zhvilluar nën monitorimin dhe konsultimin e ekspertëve më të mirë të NATO-s, në një periudhë kur Shqipëria ishte në prag të anëtarësimit në Aleancë.

Sipas ish-kreut të shtetit, ashtu si shumë procese të tjera të asaj kohe, edhe kjo procedurë ishte në funksion të objektivit strategjik të vendit për t’u bërë pjesë e NATO-s, çka u realizua disa muaj më vonë, deklarata që u konfirmuan prej tij edhe për gazetarët jashtë dyerve të gjykatës.

Gjatë seancës, Jamarbër Malltezi e pyeti Topin nëse kishte pasur ndonjëherë presion nga Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, Fatmir Bektashi apo Xhimi Begeja lidhur me këtë çështje. Përgjigjja e ish-presidentit ishte kategorike: jo.

Në seancë dëshmoi edhe ish-drejtori i Drejtorisë së Administrimit dhe Shitjes së Pronave në Ministrinë e Financave, Urim Muja. Ai deklaroi se procedura e ndjekur për këtë dosje ka qenë plotësisht e ligjshme dhe identike me dhjetëra raste të tjera të trajtuara nga institucioni.

“S’kishte asgjë të pazakontë, si dhjetëra dosje të tjera që na kanë ardhur. Kur mungon një dokument, si në rastin që thoni ju, i kemi thënë: sille, si për dhjetëra raste të tjera, asnjë përjashtim. Sa e sa herë mungojnë dokumente dhe i themi palës: plotësoje, sille. Nëse e ka, e sjell, kaq. Ajo dosje kalon nëpër filtra, sektori i shitjes ka thënë: duhet edhe kjo shkresë. Siç kemi vepruar për këtë, kemi vepruar për çdo rast tjetër. Letrat me vlerë janë përdorur edhe para administratës ku kemi qenë ne, absolutisht që janë përdorur edhe në raste të tjera, me emra nuk më kujtohen, por janë përdorur sipas ligjit. Sikur kjo dosje të krijohej sot, të shkonin tek drejtoria ku kam qenë, ata do ta shisnin, se i detyron ligji, jo dikush apo diçka tjetër”.

Jamarbër Malltezi përshëndeti deklarimet e dëshmitarëve, teksa vijoi denoncimet ndaj prokurorëve të çështjes, për të cilët tha se nuk kanë thirrur persona që mund të kishin interes për t’u pyetur.

Në përfundim të seancës, Gjykata shtyu shqyrtimin e çështjes për më 14 shtator, ku gjykata vendosi të rithërrasë dëshmitarin Paro Laçi, i cili nuk u paraqit në seancë. Ndërkohë, kërkesa e Prokurorisë për leximin e deklarimeve të tij të mëparshme në SPAK nuk u pranua në këtë fazë. Trupi gjykues urdhëroi caktimin e një eksperti, i cili do të vlerësojë, mbi bazën e akteve, gjendjen shëndetësore dhe aftësinë e tij për të dëshmuar.