Sekreti i Cucurella-s para finales së Botërorit: mbrojti ritualin e Capdevilla-s me monedhën me fat
Marc Cucurella kishte një ritual të veçantë përpara finales së Kupës së Botës 2026, një veprim që rezultoi me fat për Spanjën. Mbrojtësi i majtë i “La Roja”-s, përpara ndeshjes kundër Argjentinës në stadiumin ‘MetLife’ në Nju Jork, kreu një veprim të pazakontë duke varrosur një monedhë në fushë.
Zbulimin e bëri ish-mbrojtësi i majtë i Spanjës, Joan Capdevilla, kampion bote në vitin 2010. Në rrjetet sociale, ai tregoi prapaskenën e këtij rituali që e kishte bërë vetë 16 vite më parë.
Para fillimit të finales, Cucurella u shkëput për pak çaste nga shokët e skuadrës dhe shkoi pranë vijës anësore të fushës. Pasi kaloi kufirin e saj, futbollisti nxori nga çorapja një monedhë dhe e nguli në barin e stadiumit ‘MetLife’, një gjest supersticioz për fat të mirë.
Capdevilla shpjegoi se ideja ishte marrë pikërisht nga ai. “Tani do t’ju tregoj një sekret”, shkroi ish-futbollisti spanjoll në një postim në platformën X. “Në vitin 2010 varrosa një monedhë në fushë para se të fillonte ndeshja. E kam treguar miliona herë. I kërkova Markut të bënte të njëjtën gjë dje”.
Më pas Capdevilla i dërgoi një mesazh urimi Cucurella-s: “Marc, të dua shumë. JE KAMPION BOTE!”.
Duket se rituali i vjetër i kampionit të vitit 2010 u përsërit me sukses edhe në 2026, pasi Spanja fitoi finalen ndaj Argjentinës dhe ngriti për herë të dytë në histori trofeun e Kupës së Botës.