Nga Quinones te Ferran Torres, mësoni ligat me më shumë gola në Botëror
Me përfundimin e Kupës së Botës 2026, ka ardhur koha për bilancet dhe një prej statistikave më interesante lidhet me kampionatet ku aktivizohen autorët e golave. Në këtë renditje, Serie A italiane zë vetëm vendin e pestë me 20 gola të shënuar gjatë turneut.
Botërori u mbyll me triumfin e Spanjës ndaj Argjentinës në finale, falë golit vendimtar të Ferran Torres-it, sulmues i Barcelonës, i cili vulosi suksesin 1-0 të iberikëve. Ndërsa goli i fundit i turneut u realizua nga një futbollist i LaLiga-s, ai i pari u shënua nga Julián Quiñones i Meksikës, që aktivizohet me Al Qadsiah në Arabinë Saudite, në sfidën hapëse ndaj Afrikës së Jugut.
Sa u përket kampionateve më produktive në Botëror, Premier League angleze dominoi me plot 78 gola, duke lënë pas LaLiga-n spanjolle me 43 dhe Bundesligën gjermane me 26. Ligue 1 franceze renditet e katërta me 24 gola, ndërsa Serie A mbyll pesëshen e parë me 20 realizime.
Pas kampionatit italian vijnë MLS amerikane me 13 gola, Saudi Pro League me 11, Eredivisie holandeze dhe Premier League egjiptiane me nga 8, ndërsa Superliga turke ka regjistruar 7 gola.
Renditja e kampionateve sipas golave të shënuar në Botërorin 2026:
- Premier League – 78 gola
- La Liga – 43 gola
- Bundesliga – 26 gola
- Ligue 1 – 24 gola
- Serie A – 20 gola
- MLS – 13 gola
- Saudi Pro League – 11 gola
- Eredivisie dhe Premier League egjiptiane – 8 gola
- Superliga turke – 7 gola
- Premiership skoceze – 6 gola
- Brasileirao – 5 gola
Statistikat konfirmojnë edhe një herë dominimin e kampionateve më të forta europiane në skenën botërore, ndërsa Serie A mbetet pas katër ligave kryesore për sa i përket kontributit në realizimet e Kupës së Botës 2026.