Protestë para Parlamentit, qëllojnë me vezë drejt deputetëve! Policia mbron me trup makinat luksoze te ministrave

Me qindra qytetarë sot, në ditën kur protesta ka hyrë në ditën e 51 radhazi, u grumbulluan para Parlamentit, ku u përballën me gardhin njerëzor të Policisë së Shtetit, që kishte vënë në shtetrrethim Parlamentin. Nuk munguan thirrjet “deputetë të krimit” dhe kërkesat për dorëheqjen e Edi Ramës. Protestuesit qëlluan me vezë makinat luksoze të ministrave dhe deputetëve.

Syri TV

Protesta sot ka hyrë në ditën e 51, teksa nisi para Parlamentit, ku qytetarët u tubuan përpara godinës ku në orën 12:00 nisi seanca parlamentare.

Me qindra të rinj u vunë përballë gardhit të Policisë, që bënte që Parlamenti të dukej në shtetrrethim, pasi aty zbarkuan të gjitha njësitë policore, Garda dhe autobotët e ujit.

Pankartat dhe vezët ishin armët e qytetarëve, të cilat i përdorën me efikasitet për të qëlluar drejt makinave luksoze të ministrave dhe deputetëve, që ishin në mbrojtjen e policisë.

Disa ministra, si Lamallari e Toni Gogu, të shoqëruar nga truprojat e tyre, zgjodhën të hynin nga dyert anësore të Parlamentit, por nuk i shpëtuan syrit të protestuesve.

“Deputetë të krimit” dhe “Parlament i krimit” ishin thirrjet kryesore të protestuesve, të cilët kishin shkruar emrat e Kryeministrit dhe deputetëve në vezë, teksa nuk munguan as pankartat kreative.

Protestuesit u përplasën me Policinë e Shtetit, që kishte krijuar një gardh njerëzor për të mbrojtur deputetët nga qytetarët.

Protesta, pas nisjes së seancës, u zhvendos te lulishtja pranë Parlamentit, ku nuk munguan sulmet me vezë ndaj autobotit të Policisë së Shtetit.

Ndërkohë, më 23 korrik është thirrur një protestë kombëtare përpara Parlamentit të Shqipërisë.