Dosja Partizani/ Begeja: Do ndjekim të gjitha hallkat e drejtësisë për pronat tona, na detyrohen dhe...
Pas seancës së sotme në GJKKO ku dha dëshminë dhe ish presidenti Bamir Topi, Xhim Begeja një prej trashëgimtarëve të familjes pronare tha se nuk do të reshtin së kërkuari drejtësi, ndërsa shteti vijon t'i detyrohet trashëgimtarëve edhe 22 mijë metra katror tokë
“Prona jonë në klubin Partizani, prona e të gjithë pronarëve bashkë, e të pesë pronarëve, është rreth diku te 67 metra katrorë sipërfaqe dhe klubi Partizani zë rreth 45 mijë. Pra, diferenca prej 22 mijë metrash, shteti na detyrohet akoma këtë lloj diference. Pra, në të gjitha format. Por dihet që këtu nuk funksionon asnjë gjë, asnjë ligj e kështu me radhë, në lidhje me pronat tona. Mendojmë që këtë gjë ne do ta ndjekim në të gjitha hallkat e drejtësisë. Sot procesi, siç u pa, ishte korrekt në të gjitha palët, si pala mbrojtëse dhe pala akuzuese. Dëshmitarët pak a shumë dëshmuan në mënyrë korrekte. Dhe do vijojmë tani me datën 14 shtator, është lënë seanca tjetër, ku do jenë grupi tjetër i dëshmitarëve’ tha Begeja.
Nga ana e tij Malltezi ngriti pyetjen pse prokurorët nuk marrin në hetim Ballën për dëshmi të rreme.
Malltezi: Dëshmitari gjithashtu doli fare qartë që autorizimi për dhënien e objektit ishte qysh në janar 2009. Ndërkohë që ligji e detyron që brenda 35 ditësh shteti ta dorëzojë. Pra, ligji e detyron, nuk ia lë në dëshirë. Kur në fakt ajo është dorëzuar vetëm nëntë muaj më pas, çka tregon jo favorizim, po tregon një vonesë të stërzgjatur. Pra, ligji nuk të lejon dëshirë, të firmosësh apo nuk e firmos, ligji të detyron dorëzimin e sendit brenda 35 ditësh. Kështu që këtu, siç e tha dhe dëshmitari, jo vetëm që nuk ka pasur favorizim, po ka pasur vonesa, disa prej të cilave krejtësisht të pajustifikuara. Një moment tjetër, kemi parasysh që Taulant Balla këtu në sallë gjyqi tha 12 gënjeshtra. Për 12 gënjeshtra, a u ngrit ndonjë nga këta prokurorët politikë ta mbante të akuzuar Taulant Ballën për dëshmi të rreme? Asnjë. Çfarë tregon kjo? Tregon që janë kthyer në shërbëtorë të Taulant Ballës.