Manipulimi skandaloz i Ramës me raportin e Yale/ Universiteti i njohur mbështet shqetësimet e protestuesve

Ndërkohë që në Kuvend po kërkohej prania e Edi Ramës, për t’i hapur rrugë votimit të amendamenteve të depozituara nga PD dhe të mbështetura nga protestuesit dhe Brukseli, ku kërkohet mbrojtja e mjedisit, ky i fundit postoi një video online duke manipuluar një raport të universitetit të njohur amerikan Yale.

Raporti më i fundit i Environmental Performance Index (EPI) 2026, i hartuar nga Yale Center for Environmental Law & Policy, e rendit Shqipërinë në vendin e 46-të nga 177 vende.

Në pamje të parë, ky mund të duket si një rezultat pozitiv. Por një lexim më i kujdesshëm tregon një realitet krejt tjetër: performanca e mirë e Shqipërisë mbështetet te fakti se prodhimi i energjisë elektrike vjen nga hidrocentralet, një politikë e nisur dhe zbatuar fuqishëm gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike.

Ndërkohë në shumë fusha të tjera mjedisore, vendi vazhdon të shfaqë mangësi serioze.

Raporti evidenton dobësi të mëdha në fusha themelore si mbrojtja e biodiversitetit, menaxhimi i mbetjeve, cilësia e ujërave dhe ndotja e ajrit.

Këto janë fusha që varen drejtpërdrejt nga qeverisja e Edi Ramës, planifikimi dhe zbatimi i ligjit.

Pikërisht me këto pika lidhen edhe protestat e shumta që po zhvillohen për mbrojtjen e zonave natyrore dhe biodiversitetit. Ato nuk janë thjesht kundërshtime ndaj një projekti të caktuar, por shprehje e një shqetësimi më të gjerë se Edi Rama po e përdor barbarisht natyrën shqiptare për ta kthyer atë në një geto betoni ku derdhen paratë e narko-krimit.

Protestat e fundit për zonën Vjosë–Nartë dhe zonat e tjera të ndjeshme mjedisore kanë sjellë në qendër të opinionit publik vendas dhe të huaj debatin mbi mënyrën se si trajtohen zonat e mbrojtura dhe sa zë kanë qytetarët në vendimmarrjet që prekin trashëgiminë natyrore.

Nëse Shqipëria renditet mirë në aspektin e emetimeve të karbonit, kjo lidhet kryesisht me strukturën historike të sistemit energjetik dhe jo me politikat e ndërmarra gjatë viteve të fundit.

Ndërkohë, problemet e përditshme që përjetojnë qytetarët – ujëra të ndotura, plazhe me plehra, prerje barbare e pyjeve, menaxhim skandaloz i mbetjeve, djegie e mbeturinave, presion mbi zonat e mbrojtura dhe ndotje masive e ajrit në qytete – mbeten të pazgjidhura.

Raporti i Yale dërgon një mesazh të qartë: zhvillimi i qëndrueshëm nuk matet vetëm me emetimet e karbonit. Një vend duhet të mbrojë natyrën, të garantojë ujë të pastër, të menaxhojë mbetjet sipas standardeve moderne dhe të zbatojë me rigorozitet legjislacionin mjedisor.

Pikërisht në këtë drejtim, Edi Rama merr notën katër.

Prandaj, raporti i Yale nuk mund të lexohet si një certifikatë suksesi për qeverinë. Përkundrazi, ai tregon se avantazhet natyrore të Shqipërisë e mbajnë vendin në një pozicion relativisht të mirë, ndërsa politikat e Edi Ramës nuk kanë zgjidhur asnjë problem që ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve dhe në mbrojtjen e mjedisit.