Arjan Ndoja: Që të shkojmë në Evropë duhet të kemi zgjedhje të lira, po përdorni kartonin të deformoni reformat
Deputeti i PD-së Arjan Ndoja shpjegoi votën kundër në Kuvend, duke argumentuar se integrimi europian nuk arrihet vetëm përmes miratimit të shpejtë të ligjeve, por kërkon zgjedhje të lira dhe reforma reale.
Ai theksoi se reforma zgjedhore dhe ajo territoriale duhet të bëhen me dialog dhe konsensus, duke akuzuar mazhorancën se po i kalon ato në mënyrë të njëanshme. Pa këto reforma nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe institucione funksionale, theksoi Ndoja.
. E ndiej detyrim të bëj shpjegim për opinionin publik për pjesëmarrjen tonë në seancë parlamentare, por dhe për qëndrimin që kemi ne në lidhje me të votimin kundër. Votimin kundër unë personalisht e bëra për këtë arsye. E para, që ne të shkojmë në Evropë nuk mjaftojnë vetëm ca ligje nga pikëpamja formale që ne i miratojmë në mënyrë të përshpejtuar me sasi shumë të madhe edhe për të thënë të drejtën fatkeqësisht edhe pa cilësi.
Kolegët e komisionit ku unë bëj pjesë që besoj që është një ndër më të rëndësishmit, e dinë këtë fakt, i kemi ngritur këto probleme ligjore, edhe i kemi thënë aty. Problemi jonë është ky. Ne që të shkojmë në Evropë duhet të kemi zgjedhje të lira.
E që të kemi zgjedhje të lira, Partia Demokratike është në parlament për një arsye të vetme. Të bëjë reformën territoriale dhe reformën zgjedhore. Dhe fjala reformë në këndvështrimin tim, pavarësisht numrave të ligjshëm apo të delegjitimuar që ka njëra forcë, me forcën tjetër kërkon konsensus dhe dialog. Gjë që për fat të keq po e tregon dita-ditës që ky dialog nuk ekziston dhe ju po përdorni kartonin për ta deformuar këtë vullnet të përbashkët të dy palëve. Kështu që reformat do përfundojnë të njëanshme.
Nga ana tjetër, unë jam në parlament në mënyrë që pjesa e atyre që me përulësi u binden urdhrave të eprorit të tyre, mos ta kthejnë shumë shpejt në monarki. Autokracinë legjitime që ne kemi thënë faktike me institucione dhe me fakte, nëpërmjet kartonëve shumë thjesht mund të kalohet si në 1928-ën kur mbreti Zog e kaloi në monarki.
Për këtë arsye që edhe qytetarët duhet ta dinë që edhe sikur me revolucion të merret pushteti, shumica prej jush shtator do e shohin veten të ekspozuar ndaj riskut që kryetari juaj i partisë mund të marrë masa ndaj jush, po qytetarët ta dinë që edhe sikur të ketë revolucion, prapë se prapë pa u bërë këto dy instrumenta, reforma zgjedhore dhe territoriale, ne nuk mund të shkojmë në zgjedhje të lira dhe të ndershme.