Egnatia me fat në Champions! Kampionët e Shqipërisë mësojnë rivalin e mundshëm në turin e tretë
Egnatia ka mësuar kundërshtarin e mundshëm në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve, nëse arrin të eliminojë Celjen në turin e dytë.
Shorti i hedhur këtë të hënë në Nion të Zvicrës rezervoi një rrugë të favorshme për kampionët e Shqipërisë.
Në rast se kalojnë skuadrën sllovene, rrogozhinasit do të përballen me fituesin e çiftit Ararat Armenia – Shamrock Rovers.
Fituesi i Egnatia – Celje do të përballet me fituesin e Ararat Armenia – Shamrock Rovers në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Në letër, ky konsiderohet një short më i përballueshëm sesa përballja me kundërshtarë nga kampionatet më të forta evropiane, duke i dhënë Egnatias një mundësi reale për të ëndërruar kualifikimin në fazat e avancuara të kompeticionit.
Megjithatë, përpara se të mendojë për turin e tretë, skuadra shqiptare duhet të kalojë pengesën e Celjes, një duel që pritet të jetë vendimtar për vazhdimësinë e aventurës europiane.