Gjyqi për ‘Partizanin’/ Berisha: Procesi është ngritur mbi një piramidë të shembur mashtrimi! Nuk ka asnjë shkelje ligjore
Berisha ka dhënë qëndrimin e tij para mediave dhe për gjegjin për “Partizanin”.
“Procesi është ngritur mbi një piramidë të shembur mashtrimi”, tha kreu demokrat.
Berisha: Sot është gjyqi i themelit në dosjen Partizani ku ju jeni i akuzuar nga SPAK. Pritet të dëshmojë ish-presidenti Bamir Topi. Si e parashikoni ju dëshminë e tij dhe përse është thirrur në dijeninë tuaj, Bamir Topi?
Sali Berisha: Saktësisht pse është thirrur Bamir Topi, e dinë ata që e kanë thirrur. Prokurori ose gjykatësi. Në hamendjen time, ai është thirrur sepse ka qenë President i Republikës, në mos gaboj, dhe natyrisht do ta pyesin si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura çfarë dinte ai për sigurinë në atë kohë, dhe për të gjithë atë gjendje. Se çfarë do të thotë, nuk e marr me mend, por të thotë atë që do.
Për zotin Qiriazi ndoshta, meqenëse ka qenë ushtarak i lartë?
Sali Berisha: Nuk besoj... nuk e di, nuk kam dëgjuar që ta kenë thirrur ndonjëherë se Qiriazi ka pasur lidhje me ministrin, me shefin e shtabit të përgjithshëm si rregull, kjo është hierarkia. Por a e kanë thirrur për këtë apo jo, ajo do tregohet nga gjyqi, nuk e di.
Thua do të dëshmojë pro jush Bamir Topi?
Sali Berisha: S'kam nevojë për asnjë njeri në botë të dëshmojë pro meje, sepse është faktuar në mënyrën më përfundimtare që në mënyrë absolute nuk ka asnjë shkelje ligjore. As dhe një shkelje më të vogël ligjore. Ka trillime të paimagjinueshme në atë proces.
A mund të lexoni pak librin ‘35 falsifikimet e Prokurorisë Speciale’ për procesin. Janë 35 falsifikime.
Pra, i tërë procesi është ndërtuar mbi falsifikime, dokumentesh, faktesh e të tjerë. Me një fjalë, ajo është një piramidë mashtrimi e shembur.
Dhe siç e keni parë ju, çdo dëshmitar ka bërë deklaratat në mënyrë të tillë që ka treguar se ka pasur zero ndërhyrje, kanë zbatuar ligjin dhe fakti që në procesin e privatizimit dhe parablerjes kanë firmosur minimumi 60 ose 70 ministra, drejtorë agjencish, punonjësish, asnjë prej tyre, asnjë prej tyre nuk është në ndjekje penale. Asnjë!
Pse nuk është? Sepse kanë zbatuar ligjin, ligjin dhe vetëm ligjin. Kjo është. Nuk ka pasur Sali Berisha kurrë vendime nominale.
Ja ku e keni Edi Ramën. Me dy vendime nominale për Olsi Ramën, 38.000 metër katror tokë privati!
Me katër vendime nominale me emër e mbiemër për Karlo Bolinon, tokë edhe të Begejve të lënë për shpirt për komunitetin, për shkollë.
Dhe njëra nga ato që kishte lënë tokën u pendua. Kur e mori Bolino i tha, 'pse të mos marr unë paratë?'.
Dhe shkoi dhe mori 3 milionë euro kompensimin, kurse këta të tjerët marrin procesin gjyqësor.
Kjo është e vërteta.