'Porosia' - Arrestohet 52 vjeçari nga Fushë Kruja, po transportonte qesen me granata e 6 kapsolla detonatore

Një 52 vjeçar u arrestua pasi po transportonte një sasi lënde plasëse. Bëhet fjalë për 2 granata dore luftarake, 2 ndezës unifikues, 600 gramë lëndë plasëse (tritol), një pjesë e së cilës ishte e pajisur me 2 fitila dhe 2 kapsolla detonatore gati për shpërthim, si dhe 6 kapsolla detonatore, të cilat po i transportonte  me qese.

52 vjeçari po transportonte porosinë në rrugën ‘Kastriotët’ kur dhe u kap nga policia. Shtetasi Petrit Çeça, 52 vjeç, banues në Fushë-Krujë, ishte me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve.

Njoftimi i policise

Si rezultat i informacioneve të siguruara në rrugë operative, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Porosia”.

Gjatë operacionit, në rrugën “Kastriotët”, u kap dhe u vu në pranga shtetasi P. Ç., 52 vjeç, banues në Fushë-Krujë, me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve.

Gjatë kontrollit të qeses që mbante me vete, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 2 granata dore luftarake, 2 ndezës unifikues, 600 gramë lëndë plasëse (tritol), një pjesë e së cilës ishte e pajisur me 2 fitila dhe 2 kapsolla detonatore gati për shpërthim, si dhe 6 kapsolla detonatore.