Rëndohet sërish bilanci i viktimave nga tërmetet në Venezuelë, deri më tani 5200 trupa të pajetë të nxjerrë nga rrënojat

Numri i viktimave nga tërmetet shkatërruese që goditën Venezuelën më 24 qershor ka shkuar në të paktën 5,208 persona, sipas bilancit më të fundit të publikuar të dielën nga presidenti i Asamblesë Kombëtare, Jorge Rodriguez.

Bilanci i ri tregon një rritje krahasuar me një ditë më parë, kur autoritetet raportuan 5,119 viktima. Ndërkohë, numri i të plagosurve mbetet 16,740.

Sipas autoriteteve, afro 100 viktima të tjera janë regjistruar gjatë 24 orëve të fundit, më shumë se tre javë pas tërmeteve me magnitudë 7.2 dhe 7.5 ballë që shkaktuan dëme të mëdha, kryesisht në veri të vendit.

Zona më e goditur mbetet shteti bregdetar La Guaira, pranë kryeqytetit Caracas, ku ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet në rrënojat e ndërtesave të shembura.

Autoritetet nuk kanë publikuar ende një bilanc zyrtar për personat e zhdukur. Një ditë pas katastrofës, Kombet e Bashkuara vlerësuan se numri i tyre mund të arrinte deri në 50 mijë, ndërsa vlerësime të tjera e vendosin këtë shifër rreth 10 mijë.

Pasojat e tërmeteve mbeten të rënda edhe në aspektin humanitar. Mbi 21 mijë persona vazhdojnë të jenë të strehuar në më shumë se 100 kampe të përkohshme, ndërsa sipas të dhënave zyrtare janë dëmtuar 856 ndërtesa dhe 190 të tjera janë shembur plotësisht.