A duhet hetuar drejtësia për pengim të drejtësisë dhe zbulimit të së vërtetës?
Nga Basir Çollaku/
Nuk kam qenë dhe nuk jam optimist për rezultatet e reformës në drejtësi. Për arsyen e thjeshtë se sado cilësor të jetë mielli i ministrit, nuk mund të nxjerrë dot bukë gruri…
Ndër funksionet e drejtësisë, përpos ndëshkimit ligjor, është dhe ndërprerja e aktivitetit kriminal dhe e pasojave që rrjedhin prej tij.
Ka një katalog të gjatë të rasteve kur drejtësia e re ka dështuar me sukses të bëjë punën e saj siç duhet. Ja disa prej tyre:
-Dosja e laboratorit të Xibrakës.
Nuk u arrit të identifikohej kurrë personi i gjatë me syze dhe flokë të prera shkurt. Ndërkohë që folës anonimë në protestë identifikohen nga autoritetet me shpejtësinë e dritës, u rreshtohen ndryshimet e gjeneraliteteve dhe e kaluara penale jashtë territorit shqiptar! Gojët e liga thonë se fotoja e personit të paidentifikuar të Xibrakës, është zhdukur nga fashikujt hetimorë…
-Dosja e famshme 184.
Botë e nëndheshme, politikë, polici, grusht bashkuar rreth një kauze të përbashkët: fitimin e zgjedhjeve.
Nëse kjo dosje do të ishte hetuar siç duhet, kur dhe ku duhet, ndoshta krimet elektorale do të reduktoheshin në gjeografi dhe intensitet.
-Rrjedhjet “iraniane” të databazave të pagave, të adresave, të targave etj.
Në vend që të hetohej piromani, u hetua zjarrfikësi, Lapsi! Edhe një peshk e kupton se ato rrjedhje janë nga brenda, nga burimi. Para se të rridhnin, ishin integruar në dokumentet operative të patronazhistëve që kishin deri dhe nr e telefonit të vendit përkatës të emigrantëve shqiptarë jashtë dhe i kontaktonin direkt për të ndikuar votën. E pra, një emigrant lë nr e tij të telefonit vetëm në një dokument, në formularin e aplikimit për pasaportë shqiptare…
Nëse do të ishin hetuar siç duhet këto rrjedhje, do të te rezultonte se nuk i ka bërë iraniani, por Hasani, Artani, Arjani etj…
Dhe patronazhistët do të frenoheshin në veprimtarinë e tyre antiligjore. Sepse është e vërtetë se patronazhimi nuk inkriminohet ende, për ndërhyrja në sistemet kompjuterike, aksesi i paligjshëm në to, përdorimi i paligjshëm i të dhënave personale, dënohen nga kodi ynë penal.
Po kështu një hetim profesional i këtyre çështjeve, do ta frenonte, në mos do ta pengonte dhe AKSHI-n, në veprimtarinë e vet kriminale që tashmë është nën hetim.
-Zvërneci.
Edhe pse ka shpërthyer sot, historia e tij penale është e vjetër. Ka patur kallëzime, hetime e gjykime. Ka patur dhe konkluzione që tapitë ishin origjinale…Kush i ka firmosur këto konkluzione dhe ku ndodhet tani?
Mund të vazhdojmë dhe me një varg të pafundmë rastesh të tjera të ngjashme, por nuk është e domosdoshme për të pirë gjithë butin për të thënë nëse vera është e mirë apo e thartuar.
Nuk po flasim për tejkalimet kohore skandaloze disamujore e disa vjeçare të afateve të zbardhjes së vendimeve që janë figura penale më vete.
A mos po vjen koha që drejtësia të vihet në bangon e drejtësisë?