Merz paralajmëron ndryshime në qeveri pas dorëheqjes së Jens Spahn
Kancelari gjerman Friedrich Merz la të kuptohet të dielën se mund të ndërmarrë një riformatim të qeverisë së tij, pas dorëheqjes së Jens Spahn nga posti i kreut të grupit parlamentar të Unionit Kristian Demokrat (CDU).
Spahn dha dorëheqjen të shtunën pas publikimit të detajeve se ai dhe bashkëshorti i tij kanë pasur një fëmijë përmes një nëne surrogate në Shtetet e Bashkuara.
Në Gjermani, surrogacia është e ndaluar, ndërsa CDU-ja rikonfirmoi kundërshtimin e saj ndaj kësaj praktike në fillim të këtij viti. Kjo e ekspozoi Spahn-in, ish-ministër i Shëndetësisë dhe një prej figurave më të rëndësishme të partisë, ndaj akuzave për hipokrizi.
“Mund të jetë një mundësi për të menduar edhe një herë për përbërjen e qeverisë federale”, tha Merz në një intervistë për televizionin publik gjerman ZDF, e regjistruar të dielën dhe e transmetuar në mbrëmje. Megjithatë, kancelari theksoi disa herë se bëhej fjalë vetëm për një mundësi dhe jo për një plan konkret.
I pyetur për Thorsten Frei, shefin e kabinetit të tij, i cili nga ZDF është përmendur si një kandidat i mundshëm për të zëvendësuar Spahn-in, Merz nuk pranoi të konfirmonte asnjë emër. Emërimi i Frei-t do të krijonte një tjetër vend vakant në nivelet e larta të qeverisjes.
Gjatë intervistës, Merz gjithashtu nuk pranoi të mbronte personalisht Spahn-in, duke thënë se nuk e kishte pritur një reagim kaq të fortë publik.
“Ndoshta kjo kishte të bënte edhe me personin e tij, por edhe me mënyrën e komunikimit”, u shpreh kancelari.
Merz bëri të ditur se Spahn e kishte informuar rreth 10 ditë më parë për lindjen e fëmijës dhe i kishte kërkuar që çështja të mbahej private, gjë të cilën kancelari tha se e kishte respektuar. Sipas tij, Spahn e kishte informuar partinë “shumë, shumë vonë”, ndërsa dëmi ndaj besueshmërisë së CDU-së u bë “plotësisht i qartë” të shtunën.
“Dhe për këtë arsye ne më pas vepruam”, tha Merz sipas Politico.
Mediet gjermane raportuan të shtunën se Merz i kishte kërkuar Spahn-it të largohej nga posti.
I pyetur nëse ndihej i tradhtuar nga Spahn, Merz tha se nuk dëshironte ta komentonte publikisht këtë çështje. Ai e konsideroi çështjen të mbyllur dhe falënderoi Spahn-in për punën e tij në reformat e fundit të koalicionit qeverisës.
Sipas ZDF, drejtuesit e CDU-së pritet të diskutojnë në ditët e ardhshme për procesin e zgjedhjes së pasuesit të Jens Spahn.