Një përgjigje për (mos)përgjigjen e ministres
Ministrja e financave Delina Ibrahimaj ka reaguar pas një postimi të gazetarit të njohur Lutfi Dervishi ku fliste për rënien drastike të Euros.
Por edhe pas kësaj përgjigjeje nga zyrtarja e lartë, Dervishi ka reaguar me një shënim tjetër që po e sjellim të plotë me poshtë.
Nga Lutfi Dervishi
Ka një mënyrë shumë të thjeshtë për të kuptuar nëse ekonomia po ecën mirë.
Nuk duhen as formulat e Bankës, as raportet e FMN-së. Mjafton të shkosh në supermarket.
Nëse me pensionin ose pagën tënde blen më shumë bukë, më shumë vezë dhe më shumë mish se një vit më parë, apo 10 vite më parë atëherë je më mirë. Nëse blen më pak, atëherë diçka nuk shkon.
Fort e nderuara ministre,
Ju bëra disa pyetje dhe nuk kërkova leksion makroekonomie.
Ndoshta pyetjet edhe më të thjeshta të ndihmojnë.
Me pensionin e sotëm (të rritur sigurisht) blihen më shumë apo më pak bukë?
Më shumë apo më pak vezë?
Më shumë apo më pak mish?
Pas pagesës së qirasë, energjisë dhe ujit, mbeten më shumë apo më pak para në xhep?
Njerëzit nuk jetojnë me pagën mesatare, jetojnë me pagën e tyre.
Njerëzit nuk i paguajnë faturat me përqindje, as në euro, por paguajnë me lekë.
Ndryshe nga kolegia juaj Diella, njerëzit nuk ushqehen me grafike dhe shifra, por me ushqime.
Ju thatë se ekonomia është shkencë. (ekzakte apo shoqërore?)Dakord, por ekonomia nuk është vetëm statistika. Është edhe fuqi blerëse, ėshtë edhe kosto jetese, është edhe cilësia e jetës së njerëzve.
Druaj se ka diçka gjenetike në partinë tuaj kur vjen puna te shifrat. Enver Hoxha dikur thoshte se "bashkë me Kinën" jemi 700 milionë. Statistikisht nuk gënjente.
Por faktet të drithërojnë edhe po t'i mbulosh me shifra.
Unë u besoj statistikave, - thoshte Çurçilli, sidomos atyre që kam falsifikuar vetë.
Edhe, shifra e famshme e 140 eurove që ju keni përmendur nuk u bë problem për shkak të Eurostat-it apo INSTAT-it, por sepse u përdor nga një ministre për të folur për varfërinë. Qytetarët nuk dëgjojnë metodologjinë, dëgjojnë ministren.
Në reagimin tuaj të gjatë kishte shumë shifra. Njëra mungonte. Numri i kompanive “postbox”.
Edhe një sqarim jo vetëm për ju. Nuk kam pretenduar se mbiçmimi i lekut shpjegohet vetëm nga paratë informale. Kam thënë se ka pyetje serioze që kërkojnë përgjigje serioze. Vetë Banka e Shqipërisë pranon se nuk mund të përcaktojë origjinën e çdo euroje që hyn në treg. Pikërisht aty fillojnë pyetjet.
Debatet në Facebook fitohen me like, share dhe komente, debatet politike fitohen me retorikë, por debati për ekonominë fitohet diku tjetër. Te kasa e supermarketit.
Sepse aty pyetja nuk është: sa është rritur paga mesatare, krahasuar me 1938, por sa ushqime merr me pagën tënde sot.
Aty askush nuk paguan me statistika.
Paguan me lekë. Me lekun e fortë. Ndaj nuk është keq ta shihni më me kujdes këtë forcimin e lekut dhe dobësimin e euros...
Ja edhe postimi i ministres së financave: