Syri TV/ Krujë, fshati Mafsheq drejt boshatisjes, banorët kërkojnë investime: Rruga e amortizuar pengon zhvillimin
Mungesa e investimeve në infrastrukturë ka bërë që fshati Mafsheq në malësinë e Krujës të përballet me largime të shumta të banorëve. Dikur i njohur për prodhimet bujqësore dhe blegtorale, sot fshati është thuajse i boshatisur, ndërsa banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për rikonstruksionin e rrugës.
Fshati Mafsheq, i njohur për bukuritë natyrore, burimet ujore dhe potencialin turistik, po përballet me largime të vazhdueshme të familjeve për shkak të mungesës së investimeve. Banorët thonë se amortizimi i rrugës që lidh Mafsheqin me disa fshatra të Kurbinit dhe të malësisë së Tiranës është bërë një prej shkaqeve kryesore të braktisjes së zonës.
Mafsheqi ka burime të shumta ujore dhe një natyrë të rrallë, duke pasur potencial për t’u kthyer në një destinacion turistik për vizitorët vendas dhe të huaj. Zona ndodhet pranë dy vendeve të njohura të pelegrinazhit, Kishës së Shën Ndout në Laç dhe Teqesë së Sari Salltikut, por mungesa e infrastrukturës po pengon zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë lokale.
Dikur një zonë e njohur për prodhimet bujqësore dhe blegtorale, sot Mafsheqi ka mbetur me pak familje që vazhdojnë të merren me këto aktivitete. Banorët tregojnë se vite më parë në fshat funksiononin shkolla dhe qendra shëndetësore, por sot ato nuk ekzistojnë më.
Të mbledhur në shenjë revolte, banorët u bëjnë thirrje institucioneve që të ndërhyjnë sa më parë për rikonstruksionin e rrugës. Sipas tyre, vetëm përmirësimi i infrastrukturës mund t’u japë mundësi të jetojnë, të punojnë dhe të investojnë në fshatin e tyre, i cili ruan vlera historike, natyrore dhe një potencial të madh për zhvillimin e turizmit.