SYRI TV/ Rruga drejt Funarit në gjendje të rënduar, banorët: Institucionet na kanë lënë në harresë

Një nga zonat me bukuri të veçanta natyrore, vetëm 20 kilometra larg qytetit të Elbasanit, po përballet me mungesë investimesh dhe infrastrukturë të amortizuar. Banorët e fshatit Funar denoncojnë se rruga që lidh zonën me qytetin është në gjendje të rënduar, ndërsa institucionet, sipas tyre, nuk u janë përgjigjur ankesave të vazhdueshme.

Megjithëse kanë kaluar vetëm dy vite nga investimi i fundit për riasfaltimin e rreth 5 kilometrave të rrugës, në segmente të ndryshme janë krijuar gropa dhe çarje të shumta, duke e bërë qarkullimin të vështirë dhe problematik.

Banorët thonë se e kanë ngritur vazhdimisht këtë shqetësim pranë institucioneve përgjegjëse, por nuk kanë marrë asnjë reagim. Sipas tyre, Funari është lënë në harresë, pavarësisht potencialit të madh turistik që ofron.

Gjendja e rrugës krijon vështirësi jo vetëm për banorët, por edhe për vizitorët që frekuentojnë liqenin e Funarit, një nga destinacionet më të njohura natyrore të zonës.

Ndërkohë, mungesa e kushteve bazë të jetesës dhe e mundësive për punësim ka shtuar fenomenin e emigrimit. Sipas banorëve, shumë të rinj janë larguar jashtë vendit, duke lënë pas shtëpitë e tyre dhe duke e çuar zonën drejt shpopullimit.