Nga rrjetet sociale në qeli? Cilat janë 38 akuza të reja që rëndojnë mbi vëllezërit Tate

Influencuesi kontrovers Andrew Tate dhe vëllai i tij, Tristan Tate, janë arrestuar në Shtetet e Bashkuara, pasi autoritetet britanike ngritën edhe 38 akuza të reja penale ndaj tyre.

Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës (CPS) në Mbretërinë e Bashkuar bëri të ditur se ndaj Andrew Tate janë ngritur shtatë akuza të tjera për përdhunim, si edhe akuza që lidhen me trafikimin seksual dhe posedimin e imazheve të pahijshme të një të mituri.

Ndërkohë, Tristan Tate akuzohet për dy raste përdhunimi dhe tre akuza për organizim ose lehtësim të trafikimit të qenieve njerëzore për shfrytëzim seksual.

Sipas policive të Bedfordshire dhe Hertfordshire, numri i përgjithshëm i akuzave ndaj dy vëllezërve ka arritur në 59. Autoritetet britanike thonë se veprat penale të dyshuara janë kryer në periudhën nga korriku 2010 deri në gusht 2017. Të dy vëllezërit kanë mohuar vazhdimisht çdo akuzë.

"Këto vendime për ngritjen e akuzave u morën pas shqyrtimit të një dosjeje të re provash të dorëzuar nga Policia e Bedfordshire dhe e çojnë në shtatë numrin e viktimave të dyshuara në këtë çështje", deklaroi Malcolm McHaffie, drejtor i Divizionit të Krimeve Speciale në CPS.

Sipas autoriteteve, hetimi i zhvilluar nga policitë e Bedfordshire dhe Hertfordshire është kompleks dhe ka përfshirë një numër të madh veprash penale të dyshuara. Si rezultat, janë autorizuar 38 akuza të reja, duke e çuar numrin total të akuzave ndaj Andrew Tate në 42 dhe ndaj Tristan Tate në 17.

Shërbimi i Marshallëve të SHBA-së konfirmoi për BBC se vëllezërit Tate janë ndaluar, ndërsa një zëdhënës i Departamentit amerikan të Drejtësisë tha se arrestimet janë kryer "në përputhje me procedurat e ekstradimit".

CPS bëri të ditur se ka kërkuar ekstradimin e dy vëllezërve nga SHBA në Mbretërinë e Bashkuar. Andrew dhe Tristan Tate kanë shtetësi të dyfishtë, britanike dhe amerikane.

Avokati i tyre, Joseph McBride, reagoi pas arrestimit duke deklaruar se "e gjithë bota e di se Andrew dhe Tristan janë të pafajshëm".

"Edhe kundërshtarët e tyre e dinë këtë më mirë se kushdo. Pikërisht për këtë arsye ata janë vënë në shënjestër", tha McBride, duke i cilësuar akuzat e reja të ngritura në Britani si një "goditje politike".

Sipas tij, akuzat janë hartuar për të kundërshtuar një padi për shpifje që vëllezërit Tate kanë ngritur në SHBA.

"Jemi të bindur se sapo një gjyqtar kompetent të shqyrtojë faktet dhe Departamenti i Drejtësisë të përballet me këtë abuzim të rëndë të autoritetit, Andrew dhe Tristan Tate do të lirohen. Amerika nuk bën punën e ndyrë politike të Britanisë", u shpreh ai.

Në maj të vitit 2025, prokurorët britanikë konfirmuan se Andrew Tate, 39 vjeç, dhe Tristan Tate, 37 vjeç, do të përballeshin me 21 akuza penale në Mbretërinë e Bashkuar, për vepra që dyshohet se janë kryer mes viteve 2012 dhe 2016.

Në vitin 2024, Policia e Bedfordshire siguroi urdhër-arreste evropiane për dy vëllezërit, me synimin për t'i ekstraduar nga Rumania, ku ata ndodheshin nën hetim penal.

Muajin e kaluar, vëllezërit Tate humbën një betejë ligjore për të mësuar identitetin e personave që i akuzojnë në Mbretërinë e Bashkuar. CPS vendosi se emrat e viktimave të dyshuara nuk duhet të bëhen publikë deri në nisjen zyrtare të procesit gjyqësor.