Mbi 20 vite karrierë/ Humbi jetën në një aksident tragjik në moshën 40-vjeçare, kush ishte gazetari vlonjat Enrik Mehmeti

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e së shtunës opinionin publik, pasi gazetari i njohur nga Vlora, Enrik Mehmeti, humbi jetën në moshën 40-vjeçare.

Sipas informacioneve paraprake, aksidenti ndodhi në zonën e plazhit të Porto Novos, në Zvërnec, ku Mehmeti po lëvizte me një motor me katër rrota. Dyshohet se, pas humbjes së kontrollit të mjetit për shkak të një manovre të gabuar, motori u përmbys dhe u rrokullis disa herë, duke i shkaktuar plagë fatale.

Enrik Mehmeti ishte një prej gazetarëve më të njohur në Vlorë, me mbi dy dekada aktivitet në terren.

Gjatë karrierës së tij ai raportoi ngjarje të shumta nga politika, kronika, kultura dhe sporti, duke fituar besimin e publikut për profesionalizmin dhe përkushtimin e tij.

Lidhja e tij me gazetarinë kishte nisur që në fëmijëri. Në vitin 1997, gjatë operacionit “Alba”, ai u angazhua si përkthyes për trupat italiane të dislokuara në Shqipëri, përvojë që shënoi hapat e parë drejt profesionit që do ta ushtronte për më shumë se 20 vite.

Më vonë, Mehmeti u bë një zë i rëndësishëm i medias lokale, duke sjellë raportime të vazhdueshme nga Vlora dhe duke ngritur shpesh shqetësimet e komunitetit.

Ndarja e tij nga jeta lë pas një boshllëk të madh në gazetarinë shqiptare.