Detaje nga aksidenti që i mori jetën gazetarit Enrik Mehmeti, i lënduar mbeti edhe një 18-vjeçar/ Ja çfarë thotë policia

Një 18-vjeçar ka mbetur i lënduar në aksidentin tragjik të ndodhur mbrëmjen e së shtunës në zonën bregdetare të Porto Novos, në Zvërnec të Vlorës, ku humbi jetën gazetari 40-vjeçar Enrik Mehmeti.

Sipas njoftimit të Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:40 në zonën e Dajlanit, jashtë segmentit rrugor. Dyshohet se Mehmeti, i cili drejtonte një motomjet me katër rrota, ka humbur kontrollin mbi mjetin, i cili është përmbysur.

Si pasojë e aksidentit, gazetari ka marrë plagë të rënda dhe është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ai nuk ka mundur t’u mbijetojë dëmtimeve.

Në motomjet ndodhej edhe shtetasi me iniciale K. S., 18 vjeç, i cili udhëtonte si pasagjer. I riu ka pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Nga verifikimet paraprake rezulton se aksidenti ka ndodhur në një sipërfaqe bregdetare, jashtë zonës rrugore, dhe nuk ka përfshirë mjete të tjera apo përdorues të rrugës.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë dhe autoambulanca. Enrik Mehmeti u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku, pavarësisht ndihmës së dhënë nga personeli mjekësor, ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra.

Ndërkohë, 18-vjeçari mori ndihmën e nevojshme mjekësore dhe, sipas Policisë, gjendja e tij shëndetësore është e stabilizuar, pasi dëmtimet që ka pësuar nuk i rrezikojnë jetën.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 21:40, në zonën e Dajlanit, në Vlorë, në bregdet dhe jashtë zonës rrugore, ka ndodhur një ngjarje aksidentale me pasojë humbjen e jetës së shtetasit E. M., rreth 40 vjeç, banues në Vlorë (gazetar).

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se, duke lëvizur me një motomjet me katër rrota, ai ka humbur kontrollin mbi drejtimin e motomjetit, i cili është përmbysur. Si pasojë e përmbysjes, drejtuesi i motomjetit, shtetasi E. M., ka pësuar dëmtime të rënda trupore.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe autoambulanca. I dëmtuari është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal Vlorë, ku, pavarësisht ndihmës së dhënë nga personeli mjekësor, ka ndërruar jetë.

Në motomjet ndodhej si pasagjer shtetasi K. S., rreth 18 vjeç, i cili ka pësuar dëmtime të lehta pa probleme për jetën.

Nga verifikimet paraprake rezulton se ngjarja aksidentale ka ndodhur jashtë zonës rrugore, në një sipërfaqe bregdetare, dhe nuk ka përfshirë mjete të tjera apo përdorues të rrugës.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen të gjitha veprimet procedurale në vendngjarje për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të kësaj ngjarjeje aksidentale.