Deputeti Gjin Gjoni: Temperatura 40°C, qindra banorë në disa zona të Lezhës pa energji
Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, ka reaguar pas ndërprerjeve të energjisë elektrike që kanë prekur disa zona të Lezhës gjatë ditës së sotme, në një kohë kur temperaturat kanë arritur deri në 40°C.
Sipas Gjonit, është e papranueshme që qindra banorë të mbeten pa energji në kulmin e sezonit të verës, duke theksuar se një situatë e tillë nuk ka asnjë justifikim.
Reagimi Gjin Gjoni:
Në pikun e verës dhe të temperaturave që kanë arritur deri në 40°C, qindra banorë në disa zona të Lezhës janë lënë pa energji elektrike gjatë gjithë ditës së sotme.
Kjo situatë është e papranueshme dhe nuk ka asnjë justifikim. Në vitin 2026 nuk mund të flasim ende për ndërprerje të energjisë elektrike, ndërkohë që prej vitesh dëgjojmë për miliona euro të investuara në rrjet. Ku kanë shkuar këto investime? Pse çdo ditë qytetaret perballen me ndërprerje të energjisë elektrike? Sot, askush nuk jep asnjë shpjegim, askush nuk mban përgjegjësi dhe qytetarët lihen në errësirë e në mëshirë të fatit.
Kjo është fytyra e një pushteti të degraduar, që ka humbur kontaktin me hallet e qytetarëve. Kërkoj rikthimin sa më parë të energjisë elektrike dhe përgjegjësi nga institucionet për këtë situatë të përsëritur.