Blushi: Kushtetuesja ose Gjykata e McGonigalit vulosi kapjen nga Edi Rama dhe konfirmoi komplotin kriminal kundër Ilir Metës
Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar ashpër pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e kërkesës së opozitës për ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për aferën ‘McGonigal’.
Në një deklaratë publike, Blushi e cilëson vendimin e Gjykatës Kushtetuese si politik dhe pretendon se ai përbën një tjetër mbështetje për qeverinë e kryeministrit Edi Rama.
Sipas tij, vendimi i Kushtetueses ka penguar të drejtën e opozitës për të hetuar një çështje që, sipas tij, lidhet me marrëdhënie korruptive dhe kriminale mes kryeministrit Rama dhe ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal.
Deputeti i Partisë së Lirisë akuzon mazhorancën dhe institucionet e drejtësisë se po përpiqen të pengojnë zbardhjen e plotë të aferës, ndërsa thekson se asnjë vendim gjyqësor nuk mund ta shmangë përgjegjësinë politike apo ligjore.
Ai iu referua edhe të dhënave për përfshirjen e Charles McGonigal në veprime kundër ish-presidentit Ilir Meta, duke deklaruar se këto çështje duhet të hetohen nga një komision parlamentar.
Ai përmendi edhe takimet e McGonigal me zyrtarë shqiptarë dhe pretendoi se kallëzimet ndaj Ilir Metës kanë qenë pjesë e një skenari politik për ta mbajtur atë nën presion. Sipas Blushit, vetëm një hetim ‘i plotë, i pavarur dhe transparent’ mund të rikthejë besimin te shteti i së drejtës.
Deklarata e plotë e Tedi Blushit:
Gjykata Kushtetuese, ose Gjykata e Lanës, zbardhi mbrëmë vendimin e saj të turpshëm të qershorit, për të bllokuar Komisionin Hetimor Parlamentar të kërkuar nga opozita për aferën shumë të rëndë kriminale dhe korruptive ‘McGonigal’.
Me këtë vendim skandaloz, Gjykata Kushtetuese konfirmoi pohimin e vetë McGonigalit se ‘Ramaforma’ ishte një ‘mundësi e madhe’ vetëm për KryeNarkotrafikantin Edi Rama për të rrëmbyer qeverisjen e vendit, si dhe për ndërkombëtarët e korruptuar si krimineli Charles McGonigal dhe George Soros, por një humbje shumë e madhe për popullin shqiptar.
Vendimi politik i Gjykatës së McGonigalit është një tjetër shërbim i neveritshëm në shërbim të Edi Ramës.
Vetëm Gjykata e McGonigalit mund të refuzonte të drejtën kushtetuese të opozitës për hetimin parlamentar të marrëdhënies korruptive dhe kriminale Rama-McGonigal
Afera Rama–McGonigal është vetëm maja e ajsbergut të një sistemi korruptiv ndërkombëtar që përdori Edi Rama për të shkallmuar demokracinë shqiptare dhe asgjesuar pluralizmin politik.
Bllokimi i Komisionit Hetimor me vendim të Gjykatës së McGonigalit është vazhdim i të njëjtit komplot kundër Kushtetutës, kundër kontrollit parlamentar dhe kundër së drejtës së shqiptarëve për të zbardhur të vërtetën, që më së miri e kanë nxjerrë në dritë të diellit autoritetet e drejtësisë dhe gjykatat amerikane.
Me këtë vendim skandaloz, që qelb dynjanë me erën e Lanës, Gjykata e McGonigalit konfirmoi veten si bashkëfajtore në shkeljen e Kushtetutës, duke u përpjekur të varrosë nëpërmjet mbrojtjes politike të Edi Ramës një aferë monstrueze që kurrë nuk do të amnistohet, veçanërisht për kompromentin shumë të rëndë që u bëri marrëdhënieve me aleatin tonë të fuqishëm strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Asnjë vendim i Gjykatës Kushtetuese nuk mund ta pastrojë Edi Ramën nga përgjegjësia politike dhe sidomos ligjore për aferën ‘McGonigal’.
Asnjë institucion i kapur i Ramaformës nuk mund ta varrosë të vërtetën.
Partia e Lirisë dhe grupi i saj parlamentar kërkojnë me vendosmëri hetimin deri në qelizë të kësaj afere, veçanërisht për faktin se krimineli Charles McGonigal, i paguar nga Edi Rama dhe për llogari të tij e mafias ndërkombëtare u angazhua personalisht për rrëmbimin dhe burgosjen politike të Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Siç është provuar nga drejtësia amerikane dhe siç rezulton e provuar në akt-akuzën e datës 15 shtator 2022 të Gjykatës së Distriktit të Columbia, McGonigal, me kërkesë të Edi Ramës, është takuar në Vjenë, Austri, me deputetin Tom Doshi (aleat i Edi Ramës) dhe non-grata në SHBA, për ta intervistuar për ta përdorur kundër Ilir Metës, në kohën kur ushtronte detyrën e Presidentit të Republikës.
Po kështu, pas takimit të Charles McGonigal me Edi Ramën më 9 shtator 2017, dhe pasi ai mori më 5 tetor 2017 këstin e parë të pagesave korruptive, më 18 tetor 2017, u regjistrua një kallëzim penal ndaj Z. Meta nga një person i denoncuar për dhunë në familje nga e motra dhe i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë.
Ky kallëzim i orientuar, kishte vetëm një qëllim, të mbante Ilir Metën nën presion gjatë ushtrimit të mandatit të Presidenti të Republikës, në mënyrë që të heshte ndaj kapjes brutale të institucioneve të reja të drejtësisë nga Edi Rama.
Angazhimi kriminal i McGonigal faktohet edhe në falsifikimin e letërporosive nga Departamenti i Drejtësisë në shtator 2024, që i paraprinë rrëmbimit të Ilir Metës më 21 tetor 2024, pak muaj para zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri.
Sepse ‘çuditërisht’ pas zgjedhjeve presidenciale të 4 nëntorit 2024 në SHBA, më 15 nëntor 2024, mbërriti përgjigjia e re e Departamentit të Drejtësisë, që rrëzonte plotësisht pretendimet e mëparshme të shtatorit 2024 dhe konfirmonte se Ilir Metaj dhe LSI, nuk kishin kryer kurrë asnjë pagesa të paligjshme për lobim në SHBA dhe se nuk kishte shkelur kurrë ligjet amerikane antikorrupsion.
Partia e Lirisë rithekson se vetëm një hetim i plotë, i pavarur dhe transparent i çështjes ‘McGonigal’ mund të rivendosë besimin tek shteti i së drejtës. Ky hetim nuk mund të pengohet nga ata që prej tre vitesh kanë bërë gjithçka për të mbrojtur Edi Ramën dhe për të varrosur një skandal që ka ekspozuar para botës mënyrën se si është ndërtuar dhe mbajtur në këmbë narkoregjimi.
Askush dhe asgjë nuk mund ta mbulojë dot aferën kriminale Rama-McGonigal e cila do të hetohet derimë më një dhe do ta çojë Edi Ramën aty ku e meriton ta ketë vendin një armik dhe tradhtar i kombit shqiptar.