Angli-Francë për vendin e tretë nuk ka interes për tifozët, FIFA ul çmimet e biletave

FIFA është detyruar të ulë çmimet e biletave për ndeshjen mes Anglisë dhe Francës për vendin e tretë në Kupën e Botës 2026, për shkak të interesit të ulët të tifozëve.

Sipas raportimeve, deri të premten në mëngjes kishin mbetur të pashitura rreth 7 mijë bileta, çka e detyroi organizatorin të ndërhyjë me ulje çmimesh për të rritur numrin e të pranishmëve në stadium.

Historikisht, sfidat për vendin e tretë nuk kanë tërhequr të njëjtin interes si finalja e madhe, pasi shumë tifozë i konsiderojnë ato me rëndësi dytësore.

Edhe Anglia ka përjetuar një situatë të ngjashme në Botërorin e vitit 2018, kur u mposht nga Belgjika në ndeshjen për vendin e tretë.

Atëherë, audienca televizive ishte shumë më e ulët krahasuar me gjysmëfinalen ndaj Kroacisë, duke reflektuar mungesën e interesit për të ashtuquajturën "finale e vogël".

Megjithatë, përballja mes Anglisë dhe Francës mbetet një duel prestigjioz mes dy prej kombëtareve më të forta evropiane, ndërsa të dyja skuadrat do të synojnë ta mbyllin Botërorin me fitore dhe me vendin e tretë në podium.