Xherdan Shaqiri përballet me Edon Zhegrovën, sot miqësorja mes Baselit dhe Juventusit
Dy futbollistët shqiptarë, Xherdan Shaqiri dhe Edon Zhegrova, pritet të jenë përballë njëri-tjetrit këtë të shtunë në miqësoren mes Baselit dhe Juventusit, një sfidë që zgjon interes të madh para nisjes së sezonit të ri.
Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “St. Jakob-Park”, me fillim nga ora 15:30, dhe shërben si testi i fundit për skuadrën zvicerane përpara startit të kampionatit 2026/27.
Në anën tjetër, Juventusi i drejtuar nga Luciano Spalletti po e shfrytëzon këtë takim për të rritur ritmin e skuadrës dhe për të provuar alternativa të ndryshme para turneut veror në Azi dhe Australi.
Përballja rikthen dy klubet në të njëjtin stadium pas më shumë se 20 vitesh, që nga dueli i tyre i fundit në garat evropiane në vitin 2003.
Trajneri i Baselit, Stephan Lichtsteiner, ish-lojtar i Juventusit, e ka cilësuar sfidën si mjaft të veçantë dhe ka theksuar se përballja me një kundërshtar të këtij niveli është një provë e rëndësishme për ekipin e tij.
Vëmendja e tifozëve shqiptarë do të jetë e përqendruar te dueli mes Shaqirit dhe Zhegrovës, dy prej emrave më të spikatur të futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare, të cilët pritet të dhurojnë spektakël në këtë miqësore prestigjioze.