SYRI TV/ Berisha: Raporti i KE damkosi rëndë Ramën, Balluku u kthye në çeshtje të BE-së
Lideri i opozitës, Sali Berisha, deklaroi se raporti i Komisionit Evropian për shtetin e së drejtës në Shqipëri damkosi rëndë Edi Ramën dhe regjimin e tij. Në bashkëbisedimin me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha tha se rasti Balluku dhe mbrojtja që Edi Rama i bëri, duke mos lejuar arrestimin e saj, është kthyer në çështje ndërkombëtare.
Berisha komentoi edhe deklaratën e kreut të qeverisë, Edi Rama, se rënia e euros forcon ekonominë, duke akuzuar kreun e qeverisë se ka shkatërruar sektorët e ekonomisë përmes narko-euros.
Kryedemokrati denoncoi edhe faljen e pronave publike në Dhërmi e Palasë, ndërsa u zotua se PD nuk do të njohë kurrë vendimet e Edi Ramës.
Berisha u ndal edhe te dy standardet e SPAK-ut, ku tha se akuzon liderin e opozitës për një darkë, por amniston dhënien e 7 milionë eurove nga Edi Rama, sepse, sipas tij, Prokuroria Speciale është kthyer në organizatë të PS.
I ndalur te protestat antiqeveritare, Berisha shprehu sërish mbështetjen ndaj atij që e cilëson agjërim rinor.
Berisha tha se Edi Rama nuk largohet me votë, pasi nuk zhvillon zgjedhje të lira, ndaj i kërkoi demokratëve dhe qytetarëve të mobilizohen për largimin e tij, në betejën për rikthimin e votës së lirë.
Sa i takon zhvillimeve të brendshme, Berisha tha se PD ka zhvilluar procesin më të thellë të ripërtëritjes që nga themelimi i saj, duke ndalur vëmendjen te ajo që e quan institucionalizimi i rolit të diasporës në parti.
Një koment kishte edhe për heshtjen e Edi Ramës dhe qeverisë së tij për skandalin me deklaratat e ministres serbe për spastrimin etnik.
I pyetur për rritjen e çmimeve dhe krizën ekonomike, Berisha u zotua se PD do të propozojë uljen e TVSH-së në 5% për ushqimet e shportës dhe do të kërkojë edhe heqjen e saj.