Berisha: Me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira, prandaj duhet të bëjmë gjithçka për largimin e tij
Berisha, u shpreh se me Edi Ramën në pushtet nuk mund të ketë, sipas tij, zgjedhje të lira dhe të ndershme. Berisha deklaroi se opozita duhet të bëjë gjithçka për largimin e kryeministrit, duke akuzuar qeverinë për manipulim të procesit zgjedhor dhe përdorim të administratës e vendimeve qeveritare për interesa elektorale.
Kreu i demokratëve solli si shembull faljen e gjobave dhe kamatave të deklaruar nga qeveria para zgjedhjeve, duke pretenduar se masa ka ndikuar te vota e qytetarëve. Sipas Berishës, rikthimi i votës së lirë është sfida kryesore e opozitës, ndërsa akuzoi qeverisjen Rama për lidhje me korrupsionin, krimin dhe largimin e shqiptarëve nga vendi.
Përshëndetje Doktor Berisha. Çfarë do të bëjë opozita që të mbrojë votën në zgjedhjet e vitit 2025? Se ne e dimë shumë mirë se nuk ka reformë zgjedhore që e pengon Ramën që të vjedhë dhe të blejë votat. Dhe si do e pengoni ju si opozitë Ramën që të mos bëjë reformën e turpshme territoriale, ku siç thuhet do hiqen edhe 14 bashki të tjera, një nga këto bashki është Bashkia e Mirditës. Unë jam një mirditor.
Sali Berisha:
Pyetja është shumë e drejtë.
Ju më keni dëgjuar shumë herë t'ju them haptas shqiptarëve: me Edi Ramën nuk ka zgjedhje. Dhe kur e them këtë unë, e di se shumë nga anëtarët, mbështetësit tanë mërziten kur më dëgjojnë një gjë të tillë.
Ka prej tyre që edhe më kanë thënë, mos e thuaj këtë fjalë. Por unë duhet të them të vërtetën, jo se më pëlqen kurrë kjo gjë. Por në Shqipëri vota vdes pa hyrë në kuti.
Unë e konfirmova këtë edhe në takimet ndërkombëtare ku isha, dhe e kam faktuar unë këtë gjë.
Atëherë i dashur mik, duhet të bëjmë gjithçka për largimin e tij. Sa të jetë Edi Rama në pushtet, votat ai do t'i marrë para votimit.
Po të jap vetëm një shembull. Një shembull që ta shqyrtojmë bashkë. Dy ditë para votimit deklaroi faljen e gjobave dhe kamatave. Të them të vërtetën, tash mendova se të paktën do ishin nja 200 milionë dhe natyrisht kuptova që kjo do ishte një efekt katastrofal mbi rezultatin. Ato nuk ishin 200 milionë, muaj më vonë doli fatura, ato ishin 2 miliardë e 100 milionë. Ato u interesonin 200 e sa mijë familjeve, familje që kishin votues. Ato u interesonin 84 mijë bizneseve private aktive.
Ta dhashë këtë shembull për ju dhe për të gjithë ata që besojnë tek vota e lirë, për të kuptuar se Edi Rama është armiku më i egër i votës së lirë dhe i thelbit të lirisë së shqiptarëve, ndaj duhet ta largojmë atë.
Ne si demokratë duhet të rikthehemi me të gjithë potencialin tonë, largimit të tij.
Nga ai vetëm drogë, krim dhe korrupsion do të kemi.
Dhe zbrazje të Shqipërisë, ju siguroj.