Berisha: Unë akuzohem për një darkë, Rama dha 7 milionë euro, por SPAK nuk e heton sepse është organizatë e PS

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi SPAK-un për standarde të dyfishta në hetimet ndaj tij dhe qeverisë së Edi Ramës. Berisha krahasoi çështjen për të cilën ai është marrë i pandehur me rastet ku, qeveria ka përdorur fonde publike për aktivitete private, duke përmendur pagesat për evente ndërkombëtare.

Kreu i demokratëve pretendoi se vendimi i qeverisë për pronat e ish-klubit “Partizani” nuk ka favorizuar persona të veçantë, ndërsa akuzoi Ramën për dhënien e miliona eurove për organizime private pa hetim nga SPAK. Berisha deklaroi se mungesa e hetimeve ndaj qeverisë tregon, sipas tij, njëanshmëri të institucioneve të drejtësisë.

Partia Demokratike, dega Gjermani: Doktor Berisha, përse SPAK nuk përdor ndaj Edi Ramës dhe qeverisë së tij të njëjtin standard që përdori ndaj jush? Ju u morët i pandehur për një vendim kolegjial të qeverisë që propozonte një ligj në Kuvend, ndërsa Rama me akt normativ dhe brenda ditës i dha 4.3 milionë euro kompanisë private të koncertit të Kanye West. Pse nuk hetohet nga SPAK kjo?

Sali Berisha:

Së pari të falënderoj për pyetjen i dashur mik dhe të sqaroj. Se ai vendim kolektiv është marrë një muaj pasi pronarët legjitimë të klubit Partizani, ndër to dhe dhëndri im, Jamarbër Malltezi, që ka 410 metër, këta pronarë janë shumë, kishin paguar me para cash 90% të 800 mijë eurove që duhet t'i paguanin shtetit për klubin. 
Nga ajo që kishte mbetur kur është marrë vendimi, i cili edhe sot është në fuqi, vendime për të përdorur letrat me vlerë për privatizime, edhe sot janë në fuqi. 
Kur ka dalë vendimi, Jamarbër Malltezi ka përfituar nga ai vendim gjithsej 64 euro. 
Pra, vendimi nuk ka pasur asnjë lidhje me pronarë të caktuar. Ka pasur lidhje me të gjithë pronarët, që në përputhje me ligjin të mund të ushtronin të drejtën e parablerjes së objekteve mbi tokën e tyre edhe me letrat me vlerë. Që edhe sot janë në fuqi, si një detyrim i shtetit shqiptar ndaj qytetarëve shqiptarë. Kjo është e vërteta. 
Kurse Edi Rama pagoi 7 milionë euro Giro d'Italia, organizatë tërësisht private, ndau para me këtë organizatë private duke e kontraktuar të vijë në Shqipëri ditën e parazgjedhjeve dhe ditën e zgjedhjeve. 
Tani, lidhur me SPAK-un, meqenëse më pyete, do të tregoj një histori të bukur, se ka një gjë tjetër brenda dosjes sime. Nuk dua ta personalizoj, por nuk mund të mos e them. 
Në dosjen e Sali Berishës, Sali Berisha akuzohet për korrupsion pasiv sepse Ministri i Kulturës fton në emër të kryeministrit, për t'i nderuar, Riccardo Cocciante-n dhe Elhaida Danin, e cila ishte një e re, u shpall atë vit zëri i Italisë, fitoi 'Voice of Italy'. I ftoi sepse Presidenti i Republikës do t'i jepte një dekoratë, dhe unë iu dhashë një darkë. 
Tani, unë akuzohem për korrupsion sepse një nga pronarët që mori tokën e vet, Fatmir Bektashi, një njeri i nderuar, Ministri i Kulturës i ishte drejtuar atij 'a mund të na sponsorizosh udhëtimin e tyre dhe hotelin' dhe ai kishte sponsorizuar udhëtimin dhe hotelin e tyre me 4600 euro gjithsej. 
Dhe këtë Altin Troplini me ish-xhelatin e Sigurimit të Shtetit Kraja dhe si motrën e Taulant Ballës, Millonai, e quajtën korrupsion pasiv. 
Po pse? Sepse ata erdhën në një kohë kur ishin zgjedhjet. Nuk dhanë asnjë koncert. Vërtetë ishte kohë para zgjedhjeve, por nuk dhanë asnjë koncert. 
Nuk iu kërkua të japin asnjë koncert. Iu dha dekoratën presidenti dhe unë u ofrova një darkë. Kjo ishte. 
Kurse 'Giro d'Italia', 7 milionë euro ditën para zgjedhjeve dhe ditën e zgjedhjeve nuk është një korrupsion elektoral, nuk është një krim elektoral sipas SPAK-ut që është një organizatë e Partisë Socialiste.