Tjetër tronditje për Brad Pitt: fëmijët e tij po heqin dorë nga mbiemri i tij
Marrëdhënia mes Brad Pitt dhe disa prej fëmijëve të tij duket se po përkeqësohet edhe më tej. Pas vendimit të Shiloh për të hequr mbiemrin e të atit, të njëjtin hap kanë ndërmarrë edhe Zahara dhe Maddox, të cilët kanë nisur procedurat ligjore për të mbajtur vetëm mbiemrin e nënës së tyre, Angelina Jolie.
Sipas dokumenteve të depozituara në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë, 21-vjeçarja Zahara ka kërkuar që emri i saj të ndryshohet zyrtarisht në Zahara Marley Jolie, ndërsa 24-vjeçari Maddox ka paraqitur një kërkesë të ngjashme për të hequr mbiemrin Pitt. Të dy kanë deklaruar se ky është një vendim personal.
Në përputhje me procedurat ligjore në Kaliforni, kërkesat e tyre do të publikohen në gazetën Los Angeles Daily Journal një herë në javë për katër javë radhazi. Nëse gjatë kësaj periudhe nuk paraqiten kundërshtime, gjykata pritet të miratojë ndryshimin e emrit të Maddox në mesin e shtatorit, ndërsa atë të Zaharës në fund të muajit.
Ky zhvillim konsiderohet një tjetër tregues i marrëdhënies së ftohtë mes Brad Pitt dhe fëmijëve të tij, në vijim të konfliktit shumëvjeçar me ish-bashkëshorten, Angelina Jolie. Dy aktorët i dhanë fund martesës së tyre në vitin 2016, ndërsa divorci u finalizua vetëm në fund të vitit 2024. Megjithatë, përplasjet mes tyre vazhdojnë në gjykatë, kryesisht për çështjet që lidhen me pronësinë e kantinës franceze të verës Château Miraval.
Brad Pitt dhe Angelina Jolie janë prindër të gjashtë fëmijëve: Maddox, Pax, Zahara, Shiloh dhe binjakëve Knox e Vivienne. Edhe më herët, Shiloh kërkoi zyrtarisht të hiqte mbiemrin Pitt, ndërsa Vivienne u prezantua publikisht vetëm me mbiemrin Jolie në materialet promovuese të muzikalit The Outsiders.
Marrëdhëniet brenda familjes u tensionuan pas incidentit të vitit 2016 gjatë një fluturimi privat nga Franca drejt Shteteve të Bashkuara. Sipas dokumenteve të FBI-së, të publikuara vite më vonë, Angelina Jolie akuzoi Brad Pitt për dhunë fizike ndaj saj dhe sjellje abuzive ndaj fëmijëve gjatë udhëtimit. Aktori u hetua për këtë çështje, por ndaj tij nuk u ngritën akuza penale.