Ekonomia e qeleshes dhe ekonomistët e potureve

“Me çfarë do bëni mirëqenie, duke shitur qeleshe dhe flamuj?”, pyeti kryeministri shqiptarët shumë i revoltuar se nuk po ia çmojnë betonizimin e çdo centimetri katror edhe në bregdet.

Më kujtoi batutën tek “Prefekti”, kur regjimi tallej me një figurë të nderuar historike, duke i vënë në gojë batuta të sajuara: “Me ça do ta luftoni faÇizmin ju, me ibrikun e salepit apo kokrrën e morrit që ma keni sa nji kokërr orizi?!”.

Pasi e bëri lanet popullin mosmirënjohës me qeleshe, që s’di të kuptojë “talentin” e tij ekonomik e financiar, kryeministri shpalosi ca shifra allasoj se turizmi, investimet e huaja dhe remitancat kanë sjellë begatinë e lekut dhe telendisjen e euros.

O kryeministër me poture, ne populli me qeleshe po te kujtojmë se forcimi i një monedhe nuk është certifikata e shëndetit ekonomik! “Leku është forcuar, pra ekonomia është e fortë.”, thoshte plot qesëndi karshi atyre që po vuajnë çdo ditë pasojat e rritjes së lekut në ekonomi të rrënuar.

Kryeministri e di mirë nga forcohet leku. Problemi është se përpiqet të na bindë se eurot e futura janë të gjitha njëlloj. Ekonomia, kur numëron valutën, nuk pyet nëse euroja ka ardhur nga një fabrikë, nga një hotel apo nga një kartel kokaine.

Pyetja që bën çdo ekonomist me qeleshe nuk është a po forcohet leku, por se cila është struktura e flukseve të euros, që po e forcojnë.

Çdo euro nuk ka të njëjtën cilësi ekonomike. Për shembull, një euro e krijuar nga eksporti është krejt tjetër prej një euroje ardhur nga shitja e një apartamenti, nga remitancat, nga turizmi sezonal dhe krejt tjetër nga një euro që hyn në ekonomi përmes kanaleve kriminale dhe pastrohet në pasuri të paluajtshme.

Tregu valutor nuk bën hiç dallim moral. S’pyet fare nga erdhi euroja, nuk ka sensor etik.

Por ti si kryeministër i vendit e ke për detyrë t’i përgjigjesh popullit me qeleshe, sepse ndërsa feston lekun e fortë, ata të paktë që ende prodhojnë në Shqipëri po marrin goditjen më të madhe. Eksportuesit marrin më pak lekë për të njëjtën euro, humbasin konkurrueshmërinë, mbyllin linja prodhimi dhe largojnë punëtorë. Pra, nëse ky është “sukses”, ai po matet me falimentimin e atyre që ende prodhojnë.

Defiçiti tregtar qëndron stoik, ku importet i marrin frymën eksporteve duke varfëruar shqiptarët me qeleshe, sepse një vend bëhet i pasur veç kur prodhon më shumë sesa konsumon.

Atëherë si shpjegohet një ofertë kaq e madhe eurosh në një ekonomi që nuk prodhon, ka deficit kronik tregtar, investime të huaja modeste kryesisht nga fitimet e riinvestuara dhe eksporte që nuk mbështesin këtë forcim? Turizmi, remitancat dhe investimet nuk mjaftojnë, madje me logjikën e 8,5 miliardë eurove hyrje duhej që euro të qe më e fortë.

Atëherë ekonomistët me qeleshe e logjikë, e gjejnë përgjigjen tek flukset e kapitalit nga aktivitetet e pastrimit të parave. Dosje si “Aruba”, të Sky ECC apo EncroChat përshkruajnë hyrje të mëdha kapitali kriminal dhe mekanizma të investimit të tyre në ekonomi.

Çdo ekonomist me qeleshe (jo poture) e di se kapitali kriminal, nëse riciklohet brenda vendit, rrit ofertën e valutës duke e zhvlerësuar euron në vlera historike.

Pra, një monedhë nuk bëhet simbol i suksesit vetëm sepse forcohet. Ekonomisë nuk i skuqen faqet nga shëndeti se kursi tregon forcimin e lekut, por nga koherenca e gjithë sistemit. Kur prodhimi dobësohet, eksportet mpaken dhe ekonomia mbështetet gjithnjë e më shumë tek flukset jo produktive me origjinë kriminale e korruptive, atëherë leku i forcuar është hall për shqiptarët. Hall i madh.

Një vend bëhet i pasur kur prodhon, kur shpik, eksporton. Kur krijon vlerë të shtuar. Kur një inxhinier, një fermer, një fabrikë, një laborator apo një startup vlejnë më shumë se një kontratë shitjeje toke,  brigjesh, malesh, lagunash, pyjesh, qytetesh.

Ironia zeher është se kryeministri tallet me qeleshen, ndërsa industria që ka lulëzuar në këto vite është ajo e betonit dhe shitjes së pasurisë publike. Një qeleshe, të paktën, është produkt. Dikush e punon, dikush fiton prej saj. Dikush mund ta eksportojë. Ka mjeshtra, ka punë, ka zinxhir vlere, ka identitet. Ndaj nuk mund të përçmohet kaq paturpësisht nga kryeministri i shqiptarëve që mat ekonominë tek dera e exchange-it.

Tregu valutor nuk pyet nëse euro ka ardhur nga një fabrikë në Korçë, nga një turist në Ksamil, nga një agroturizem ne Theth, nga minierat në Bulqizë, apo vilat e shitura në zona të mbrojtura, nga skemat e pastrimit të parave, nga bananet e Ekuadorit dhe projektet e Albanian Files.

Ndaj jam me ekonominë e qeleshes. Sepse çdo ekonomi që përçmon prodhimin, përfundon duke shitur…edhe poturet.