Gjendja që i bën disa njerëz të humbin edhe në shtëpinë e tyre

Shumica prej nesh përdor telefonin për të gjetur rrugën. Nëse telefoni fiket ose humbasin udhëzimet, mund të ndihemi të hutuar për pak çaste, por zakonisht e gjejmë përsëri orientimin duke njohur ndonjë vend ose duke pyetur dikë. Për disa njerëz, megjithatë, kjo ndjenjë nuk largohet kurrë. Ata mund të humbin rrugën edhe në lagjen ose në shtëpinë e tyre.
 
Studiuesit vlerësojnë se deri në një në 30 persona mund të ketë çorientim topografik të zhvillimit (DTD), një gjendje që i shoqëron gjatë gjithë jetës. Këta njerëz humbin rrugën shpesh që nga fëmijëria, edhe në vende shumë të njohura. Gjendja nuk shkaktohet nga dëmtimi i trurit, sëmundjet neurologjike apo problemet psikike, por lidhet me mënyrën se si funksionon sistemi i tyre i orientimit.
 
Fillimisht, studimet u përqendruan te rastet më të rënda. Sot dihet se DTD shfaqet në forma të ndryshme dhe rastet më të lehta shpesh kalojnë pa u diagnostikuar, sepse njerëzit thjesht konsiderohen si "të dobët për të gjetur rrugën".
 
Studiuesit po përqendrohen tani te një grup i veçantë i këtyre personave, të cilët nuk arrijnë të krijojnë një hartë mendore të mjedisit përreth. Ata e quajnë këtë gjendje atopi, që do të thotë "të jetosh pa një hartë".
 
Shumica e njerëzve krijojnë në mendje një pamje të rrugëve, ndërtesave dhe orientimit të tyre. Kjo hartë mendore na ndihmon të gjejmë rrugë të reja ose të kthehemi në shtëpi pa u menduar shumë. Njerëzit me atopi, edhe pse mbajnë mend ndërtesat dhe vendet e njohura, nuk arrijnë t'i lidhin ato në një pamje të vetme. Ata mund ta dinë se stacioni është pranë shtëpisë dhe dyqanet janë afër stacionit, por nuk e krijojnë dot lidhjen mes tyre.
 
Për këtë arsye, nëse një rrugë bllokohet ose ata devijojnë gabimisht, nuk kanë një "hartë" të brendshme që t'i ndihmojë të orientohen. Siç tha një pjesëmarrës në studim: "Unë jam gjithmonë vetëm në vendin ku ndodhem dhe nuk arrij ta imagjinoj mjedisin përreth."
 
Kjo mund t'i bëjë njerëzit të shmangin daljet, të mbështeten plotësisht te GPS-ja ose te familjarët. Fatkeqësisht, sjellja e tyre shpesh keqkuptohet si pakujdesi ose mungesë inteligjence, gjë që nuk është e vërtetë.
 
Lajmi i mirë është se kjo gjendje nuk përkeqësohet me kalimin e kohës. Studimet tregojnë se aftësia për t'u orientuar mund të stërvitet. Përdorimi i tepërt i GPS-së madje lidhet me dobësim të kujtesës hapësinore. Programet virtuale të stërvitjes kanë dhënë rezultate premtuese dhe studiuesit po testojnë një program gjashtëjavor për të ndihmuar njerëzit me atopi të përmirësojnë orientimin dhe të fitojnë më shumë pavarësi.
 
Prandaj, herën tjetër që përdorni telefonin për të gjetur rrugën, ia vlen të provoni ta gjeni vetë. Aftësia për t'u orientuar është një shkathtësi që duhet ushtruar, përndryshe mund të dobësohet.