Berisha: Rama nuk e dënon ministren monstër të Beogradit sepse është vasal i Vuçiçit dhe armik i shqiptarëve
Berisha, u shpreh se heshtja e kryeministrit Edi Rama ndaj deklaratave të ministres serbe Snezhana Paunoviç për spastrimin etnik në Kosovë është e papranueshme. Berisha akuzoi Ramën se po mban qëndrim të njëanshëm në raport me Beogradin dhe se nuk po dënon deklaratat që ai i cilësoi si antishqiptare.
Kreu i PD-së deklaroi se reagimet ndërkombëtare ndaj deklaratave të ministres serbe kanë qenë të forta, duke përmendur qëndrime nga institucionet evropiane, Britania e Madhe dhe figura politike në Serbi e Kosovë. Sipas Berishës, mungesa e një reagimi nga qeveria shqiptare tregon, siç u shpreh ai, një varësi politike të Edi Ramës ndaj presidentit serb Aleksandër Vuçiç.
Berisha kritikoi gjithashtu qëndrimin e kryeministrit shqiptar ndaj kësaj çështjeje, duke e akuzuar atë se nuk po mbron interesat e shqiptarëve dhe të Kosovës.
Muharrem Kurti: Përshëndetje Doktor Berisha. U bënë disa ditë që ministria e Vuçiçit flet për spastrim etnik e dëbim të shqiptarëve dhe shteti shqiptar, e Rama nuk ka asnjë reagim. Pse Rama e ka mbyllur gojën për këtë rast?
Sali Berisha:
Ju falenderoj për pyetjen. Deklaratat e ministres monstër të Beogradit, me të cilat ajo dëshmon se zgjidhja më e mirë e problemeve ndëretnike është spastrimi etnik dhe gjenocidi, kanë marrë ndëshkim ndërkombëtar.
Kanë reaguar fuqishëm Komisioni Europian në zëdhënësin e saj. Ka reaguar për hir të së vërtetës edhe komisionerja për zgjerimin, zonja Kos. Ka reaguar fuqishëm zëdhënësi i Foreign Office, Ministrisë së Jashtme Britanike.
Por kanë reaguar për hir të së vërtetës dhe dhjetëra, dhjetëra deputetë dhe personalitete në vetë Serbi. Republika e Kosovës e ka shpallur non-grata.
Edi Rama dhe zëdhënësit e tij të turpit në Ministrinë e Jashtme kanë heshtur si fija e barit. Dhe jo vetëm heshtur, por Edi Rama deklaroi se nuk mund të përfshihet në histerizma sa herë një çyryk flet këto apo ato. Edi Rama është një skllav, një vasal i Vuçiçit.
Ta kuptojnë shqiptarët mirë se ç'janë këta, ç'përfaqësojnë, që nuk pranojnë dënimin e gjenocidit serb në Kosovë. Dhe tani kur ministrja e Aleksandër Vuçiçit deklaron se duhej spastruar etnikisht Kosova, Edi Rama e quajti një çyryke.
Ajo është një raciste e egër antishqiptare e cila në të gjitha ligjet e botës meriton dënimet më të rënda.
Por Rama është argat i Vuçiçit, armik i egër i shqiptarëve dhe çështjes së tyre.