Jaku: Qeveria ka zhveshur bashkitë nga kompetencat, po cenon autonominë vendore

I ftuar sot në një lidhje Skype në Syri TV, Gjokë Jaku, ish-prefekti i Lezhës dhe eksperti i pushtetit vendor, deklaroi se reforma administrative territoriale ka shfaqur mangësi të konsiderueshme, ndërsa bashkitë janë dobësuar për shkak të marrjes së kompetencave nga pushteti qendror.

Jaku theksoi se vendimet e qeverisë kanë “zhveshur” pushtetin lokal nga funksione thelbësore, duke e cilësuar këtë një cenim të rëndë të autonomisë vendore dhe të përgjegjësisë së bashkive përballë qytetarëve.

Ai akuzoi se marrja e kompetencave është bërë sipas “oreksit politik të kryeministrit apo qeverisë”, ndërsa lidhur me ndryshimet e mundshme territoriale tha se tabelat e publikuara në rrjete sociale janë një “truk” pa bazë ligjore.

Pjesë nga intervista:

Së pari, reforma administrative territoriale kërkon në thelbin e saj zhvillimin, pjesëmarrjen e komunitetit në qeverisje, zhvillimin e demokracisë lokale, forcimin e ekonomisë vendore dhe ofrimin e shërbimeve, gjëra të cilat reforma e dhjetë vjetëve përpara ka treguar mangësi të konsiderueshme. Por shtojini këtyre katër faktorëve që unë përmenda edhe ushtrimin e kompetencave të pushtetit vendor.

Të cilat, aq sa unë jam i përditësuar, dhe nuk jam pak, pasi unë vetëm katër vjet kam që jam larguar nga funksioni, vetë ligji, por sidomos vendimet e famshme të Këshillit të Ministrave, kanë bërë që ta zhveshin pushtetin lokal, bashkitë, nga disa kompetenca të qenësishme, thelbësore, shumë të rëndësishme për ushtrimin e veprimtarisë së tyre.

Unë e shoh këtë si një cenim jashtëzakonisht të rëndë të autonomisë vendore, duke shkelur së pari parimin e autonomisë vendore që rrjedh edhe nga Karta Europiane e Autonomisë Vendore, pjesë e së cilës është dhe pushteti vendor në Shqipëri, si pjesë e delegacionit të Këshillit të Europës. Dhe, nga ana tjetër, është cenim i rëndë i kushtetutshmërisë së këtyre pushteteve. Pasi cenimi, apo marrja e kompetencave herë pas here sipas orekseve politike të kryeministrit apo qeverisë, është drejtpërsëdrejti mënjanim i funksioneve dhe i përgjegjësisë së pushtetit vendor përpara qytetarëve të tij.

Së dyti, në lidhje me ju sa thatë për një numër njësish, të cilat vihen në dyshim për ekzistencën dhe vijimësinë e tyre pas kësaj reforme, unë jam njohur përmes rrjeteve sociale gjatë njëzet e katër orëve të fundit. Kam parë edhe një tabelë, për të cilën mendoj paraprakisht se është një truk. Nuk do të realizohet, se, e para e punës, nuk ka asnjë bazë ligjore.