Belind Këlliçi: Rënia e euros nuk vjen nga ekonomia e fortë, por nga pastrimi i parave

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama për zhvlerësimin e euros, duke kundërshtuar argumentin se forcimi i lekut është pasojë e një ekonomie të fortë.

Këlliçi pretendon se rënia e kursit të euros lidhet me hyrjen e parave me origjinë kriminale në ekonomi, ndërsa akuzon qeverinë për keqmenaxhim ekonomik dhe korrupsion.

Ai i cilëson shpjegimet e Ramës si propagandë dhe thotë se treguesit ekonomikë nuk mbështesin pretendimet e kreut të qeverisë.

Postimi i Këlliçit:

Kryeministri Edi Rama u shfaq i çoroditur e boll i shqetësuar mbi shpjegimin e rënies drastike të euros! 
 
Me injorancën e vet proverbiale në fushën ekonomike e financiare mori përsipër turpërimin me ato deklarata qesharake gjer në marrëzi për lekun e fortë, sepse iu desh te mbulonte të vërtetën e pashmangshme të pastrimit të parave të organizatave kriminale në Shqipëri.
 
Krenar për paaftësinë e vet, Rama u tha shqiptarëve se leku është forcuar prej një ekonomie shumë të fortë. Se kursi i euros ka këtë luhatje e rënie sepse nga investimet e huaja dhe turizmi për vitin 2025 kanë hyrë në vend 8.5 miliardë euro.

I fryrë nga marazi, nga halli i mbrojtjes së të pambrojtshmes, u detyrua të lëshojë broçkulla që megjithëse do mbahen mend gjatë si meme, do u dhembin shqiptarëve me breza prej dëmit të pangjashëm në histori.

Sa kollaj çmontohet kjo propagandë qesharake, që me kursin e këmbimit të tërbuar nga origjina e pistë e euros, kërkon të shesë “mrekullinë” ekonomike të vendit që nuk prodhon asgjë veç betonit.

Përshëmbull kryeministri nuk thotë se hyrjet e valutes së huaj në vend, sipas të dhënave publike janë nuk 8.5 miliard euro, po 10 miliardë nëse përllogarisim dhe 1.5 miliardë të eksporteve.

Kryeministri nuk thotë se Shqipëria nuk ka prodhim, se bujqësia e industria po shkatërrohen, se ne importojmë shumçka, megjithëse kemi natyrë e burime boll.

Kryeministri nuk thotë se importet për vitin 2025 ishin në vlerën 11.5 miliardë euro, pra shkollëpaku duhet të kuptojë se me këto shifra kërkesa për euro është me e lartë se oferta.

Se nuk po shtoj këtu edhe ndërhyrjen me 1.1 miliardë euro në treg nga Banka e Shqipërisë që nuk arriti as ta ndukte zhvlerësimin e euros e jo më ta ndalte.

Prandaj, me deficit kronik tregtar, vetëm një karagjoz mund të pretendojë forcimin e lekut! 

Hë pra Edvin, këto miliardët e tjera që po groposin euron dhe ekonominë tonë nga vijnë?????

Në cilin “samit” e ke mësuar këtë logjikë ekonomike?

Meqënëse nuk guxon ta thuash ti po e sqaroj unë.

Këto e më shumë se këto vijnë nga takimi në Aruba, vijnë nga korrupsioni yt dhe i organizatës kriminale që drejton.
Shkatërrove ekonominë e vendit duke e kthyer jo vetëm ndërtimin, por çdo sektor në lavatriçen e pisllëkut të parave të tua dhe të organizatave kriminale që të garantuan pushtetin.
 
Ky hall të shtyn të bësh palaçon që përpiqet të bindë publikun se ekonomia kriminale nuk ndikon fare në ofertën e euros. Por kësaj here je zënë mat.

Asnjë monedhë nuk mund ta blejë pafajësinë e qeversjes më antishqiptare në histori. Aq më pak euro e krimit dhe korrupsionit tënd të egër.

Nuk e ngatërron dot më kursin e këmbimit me cilësinë e ekonomisë.

Lere kursin e këmbimit, se atë e zgjidh kërkesë-oferta. Llogaritë nuk të dalin se shteti yt nuk prodhon, nuk eksporton, nuk krijon vlerë, por mbijeton mbi betonin, korrupsionin dhe kapitalin me origjinë kriminale.

Nuk po shpëton reputacionin e lekut ti, se nuk ta ndjen për ku dhe si i ke degdisur shqiptarët. Ti po perpiqesh të shpëtosh alibinë e regjimit tënd ekonomik. Por ekonomia nuk është sekti yt politik. S’do t’ja dije për patronazhistë e spine, por bilance. Por bilanci të ka “tradhëtuar”.  

Sado kriminale, ekonomia ka një ves që pushteti yt nuk e kontrollon dot, në fund gjithnjë i dorëzon faturat. Dhe faturat kanë nisur të të mbërrijnë, e s’ke nga ia mban, një më një do t’i paguash.