Goditet rrjeti i klandestinëve drejt BE-së/ Në pranga ‘organizatori’ egjiptian i skemës
Policia e Tiranës ka goditur një rrjet të dyshuar të trafikimit të emigrantëve drejt vendeve të Bashkimit Europian. Operacioni i koduar “Organizatori” ka çuar në pranga një 34-vjeçar egjiptian, banues në Krujë, i cili dyshohet se drejtonte skemën e transportit ilegal të klandestinëve.
Sipas burimeve zyrtare, i arrestuari me iniciale A. H. kishte ndërtuar një mënyrë të veçantë për t’iu shmangur kontrolleve të policisë. Ai dyshohet se nuk i transportonte emigrantët në grupe, por i lëvizte një nga një drejt zonave kufitare, me qëllim kalimin e paligjshëm drejt vendeve të Bashkimit Europian, shkruan A2CNN.
Ndërhyrja e policisë është bërë në momentin kur 34-vjeçari u kap në flagrancë në autostradë, pranë Rinasit, teksa po transportonte me automjet drejt Shkodrës një shtetas tjetër egjiptian, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit.
Gjatë operacionit, policia ka sekuestruar edhe aparatin celular të të arrestuarit, i cili pritet të ndihmojë në zbardhjen e komunikimeve dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet.
Nga hetimet paraprake dyshohet se 34-vjeçari ishte organizator i sigurimit të ndihmës për shtetas të huaj, kryesisht nga Egjipti, për kalim të kundërligjshëm të kufijve kundrejt pagesave.