Pa ujë në mes të vapës, banorët e Morinit riparojnë vetë ujësjellësin
Nën temperaturat e larta të këtyre ditëve, banorët e fshatit Morin po përballen me mungesën e ujit të pijshëm. Me një eskavator të vogël, të marrë me pagesë, dhe me punën e tyre, ata kanë dalë në terren për të riparuar tubacionin e dëmtuar.
Sipas tyre, dëmtimi ka ndodhur gjatë punimeve për vendosjen e shtyllave elektrike. Banorët thonë se, përballë mungesës së ndërhyrjes institucionale, janë detyruar ta zgjidhin vetë problemin.
Ata tregojnë se ujësjellësin e fshatit e kanë ndërtuar vite më parë me kontributet e familjeve të Morinit, ndërsa edhe sot shpenzimet për riparimin po i përballojnë vetë, me ndihmën e fëmijëve të tyre në emigracion.
Investimi i fundit për furnizimin me ujë, sipas banorëve, është bërë në vitin 2008, por furnizimi zgjati vetëm pak ditë. Nga ndërtimi i ujësjellësit deri te riparimi i tubacioneve, ata thonë se kanë paguar dy herë për të pasur ujë në shtëpitë e tyre. Ndërsa puna vijon nën temperaturat e larta, mbetet ende pa përgjigje pyetja se kur do të ndërhyjnë institucionet përgjegjëse.