Plagosja e 18-vjeçarit në Korçë/ Njerku e sulmoi me thikë gjatë darkës familjare

Kanë dalë detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur mbrëmjen e së premtes në Korçë, ku një 18-vjeçar mbeti i plagosur rëndë pas një konflikti me njerkun e tij.

Burime bëjnë me dije se 37-vjeçari Niko Baka ndodhej në banesën e bashkëjetueses së tij, ku ishte organizuar një darkë familjare. Në tavolinë ndodheshin edhe djali 18-vjeçar i bashkëjetueses, xhaxhai i tij, si edhe persona të tjerë.

Sipas të njëjtave burime, gjatë konsumimit të alkoolit ka nisur një debat, i cili ka degraduar në dhunë. Në kulmin e konfliktit, 37-vjeçari dyshohet se ka marrë një mjet prerës dhe ka goditur 18-vjeçarin në kokë, duke i shkaktuar plagë të rënda.

I riu u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Korçës, ku mori ndihmën mjekësore, ndërsa shërbimet e Policisë bënë të mundur lokalizimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar.

Policia vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar shkaqet që çuan në përshkallëzimin e konfliktit familjar.