Leku forcohet e nuk ka frikë, se çunat jashtë merren me botanikë!
Nga Irena Beqiraj
Për të shpjeguar forcimin e lekut, profesori më i ri i “ekonomisë reale” në vend, Kryeministri, tha se në Shqipëri kanë hyrë 8.5 miliardë euro nga kombinimi i turizmit dhe investimeve të huaja.
Por të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë një histori tjetër.
Treguesit kryesorë financiarë të turizmit për vitin 2025 ishin: Të ardhurat bruto nga turizmi: 5.72 miliardë euro.
Ndërkohë, 3.04 miliardë euro janë shpenzuar nga shqiptarët jashtë vendit.
Pra, fluksi neto hyrës nga turizmi është 2.68 miliardë euro, të injektuara drejtpërdrejt në ekonomi.
Investimet e huaja për vitin 2025 ishin 1.64 miliardë euro, por 51% e tyre përbëhej nga fitimet që kompanitë e huaja kanë realizuar në Shqipëri dhe i kanë riinvestuar këtu. Pra, fluksi real shtesë hyrës nga investimet e huaja është rreth 0.82 miliardë euro.
Llogaria është e thjeshtë: 2.68 + 0.82 = 3.50 miliardë euro.
Për ta ndihmuar profesorin e “ekonomisë reale”, le të përfshijmë edhe remitancat, të cilat për vitin 2025 janë llogaritur në 1.12 miliardë euro.
Pra, totali bëhet: 2.68 + 0.82 + 1.12 = 4.62 miliardë euro.
Atëherë, ku dreqin u gjet shifra 8.5 miliardë euro?
E pra, Delinë, mos e lër shefin të turpërohet. Shpjegoja se, me këto shifra zyrtare të hyrjeve në valutë nga turizmi, remitancat dhe investimet e huaja, nuk del dot ajo llogari.
Leku forcohet e nuk ka frikë, se çunat jashtë merren me botanikë!
Ndaj, vetëm po të pranojmë se rreth 4 miliardë euro kanë hyrë si fluks shtesë nga sektori “botanik”, mund të mbërrijmë te shifrat e “suksesit real” të Kryeministrit.
Edhe botanika është ekonomi reale, por është ekonomi e paligjshme. Për këtë arsye nuk përfshihet në statistikat zyrtare.
Po fundja, a ka nevojë suksesi të jetë i ligjshëm?