Sqarohen kriteret: Edhe futbollistët që luajnë jashtë Europës mund ta fitojnë ‘Topin e Artë’

Organizatorët e “Ballon d'Or” (Topit të Artë) kanë reaguar zyrtarisht për t'i dhënë fund spekulimeve lidhur me kriteret e përzgjedhjes për çmimin më prestigjioz individual në futboll.

Përmes një njoftimi në llogarinë zyrtare, është konfirmuar se futbollistët që aktivizohen në klube jashtë Europës kanë të drejtë të fitojnë “Topin e Artë”, duke hedhur poshtë pretendimet se çmimi u takon vetëm lojtarëve që luajnë në kontinentin evropian.

Sipas organizatorëve, ky rregull është në fuqi që prej vitit 2007, kur u hoq kufizimi që e lidhte çmimin me futbollin evropian.

Kjo do të thotë se çdo futbollist, pavarësisht kampionatit ku aktivizohet, mund të shpallet fitues nëse vlerësohet si lojtari më i mirë i vitit.

Sqarimi vjen pas diskutimeve të shumta në opinionin sportiv, sidomos pas transferimit të disa yjeve të futbollit drejt kampionateve jashtë Europës, çka kishte ngritur pikëpyetje mbi mundësinë e tyre për të fituar “Ballon d'Or”.

Me këtë deklaratë, organizatorët konfirmojnë se vendndodhja e klubit nuk përbën pengesë për kandidimin apo fitimin e çmimit, ndërsa vlerësimi bazohet te paraqitjet individuale dhe arritjet sportive të futbollistit gjatë sezonit.