VIDEO-EMRI/ Të shtëna me armë në Sarandë, një person në gjendje të rëndë në spital
Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mbrëmjen e sotme në lagjen nr. 4 të qytetit të Sarandës, ku një person ka mbetur i plagosur rëndë.
Sipas burimeve të SYRI-t, i plagosuri është identifikuar si Thimjo Rubati, 50 vjeç. Ai është transportuar me urgjencë në Spitalin e Sarandës, ku ndodhet në sallën e operacionit në gjendje të rëndë.
Burimet bëjnë me dije se paraprakisht dyshohet për një atentat të organizuar. Sipas informacioneve të para, 50-vjeçari është qëlluar me armë zjarri nga 2 persona të maskuar që lëviznin me një motor, të cilët më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Thimjo Rubati rezulton person me precedente të shumtë penalë, për trafik klandestinësh, kontrabandë, armëmbajte pa leje, i skeduar për trafik mjetesh motorrike.
Pas ngjarjes, Policia e Shtetit ka ngritur postoblloqe dhe ka blinduar hyrje-daljet e qytetit të Sarandës, ndërsa forca të shumta janë angazhuar në kërkim të autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të atentatit.
Policia e Sarandës është vënë në kërkim të atentatorëve. Pasi kanë qëlluar Thimjo Rubatin, autorët kanë lëvizur me motorr nga rruga “Mitat Hoxha” drejt zonës së varrezave të qytetit, në lagjen e quajtur “Baba Rexhepi” ku dhe kanë humbur gjurmët.
Lagjia ku kanë humbur gjurmët është lagje periferike dhe më pas nis një zonë bregdetare e thepisur. Pritet që kontrollet të nisin edhe nga deti.
Sarandë/ Informacion paraprak
Rreth orës 21:15, në lagjen nr. 4, në Sarandë, në rrethana ende të paqarta, është plagosur me armë zjarri para biznesit të tij, shtetasi Th. R., 50 vjeç. Ai është transportuar në spital, ku po merr ndihmë mjekësore.
Shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet intensive në zonë për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve. Nga të dhënat e para dyshohet se autorët kanë qenë dy persona me skafandra, të cilët janë larguar nga vendngjarja me motomjet.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet në vendngjarje për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.