BIRN: Komisioni Europian kritikon sulmet politike ndaj SPAK-ut në rastin Balluku
Në raportin vjetor për Sundimin e Ligjit të publikuar të premten, Komisioni Europian theksoi se reagimet e ekzekutivit dhe shumicës parlamentare ndaj hetimeve të SPAK-ut ndaj zyrtarëve të lartë përbëjnë përpjekje për ndikim të papërshtatshëm mbi drejtësinë dhe dëmtojnë besimin publik te institucionet.
Komisioni ka vlerësuar progresin e Shqipërisë në reformën në drejtësi, por paralelisht ka kritikuar ashpër sulmet politike ndaj Prokurorisë së Posaçme dhe institucioneve të tjera të drejtësisë, duke i cilësuar ato si përpjekje për ndikim të papërshtatshëm mbi sistemin gjyqësor.
“Pezullimi nga detyra i një zyrtari të nivelit të lartë, i urdhëruar nga Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK-ut, si edhe kërkesa e SPAK-ut drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit parlamentar të këtij zyrtari, shkaktuan reagime të forta negative nga pushteti ekzekutiv dhe ai legjislativ, përfshirë sulme të drejtpërdrejta ndaj SPAK-ut dhe institucioneve gjyqësore”, thuhet në raport.
Komisioni shton se institucionet drejtuese të sistemit gjyqësor reaguan publikisht duke dënuar presionin politik mbi drejtësinë, ndërsa kujton standardet europiane sipas të cilave “të gjitha pushtetet e shtetit duhet të nxisin dhe mbrojnë besimin e publikut te institucionet kushtetuese, përfshirë gjyqësorin”.
Qëndrimi vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes qeverisë dhe SPAK-ut u tensionuan ndjeshëm pas hetimeve që prekën zyrtarë të lartë të mazhorancës, përfshi ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
Gjatë muajve të fundit, kryeministri Edi Rama dhe përfaqësues të Partisë Socialiste kanë akuzuar publikisht SPAK-un për tejkalim kompetencash dhe kanë paralajmëruar ndryshime në legjislacionin procedural. Paralelisht, deputetë të shumicës propozuan amendamente në Kodin e Procedurës Penale që do të zgjeronin kategorinë e zyrtarëve që nuk mund të pezullohen nga detyra gjatë hetimeve. Edhe për këto zhvillime Komisioni shpreh shqetësim në kapitullin mbi balancën e pushteteve.
Raporti kujton se Kuvendi refuzoi të heqë imunitetin e Ballukut të kërkuar nga SPAK për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera, duke theksuar se ky vendim “ngriti shqetësime lidhur me parimet e kontrollit dhe balancës së pushteteve dhe barazisë përpara ligjit”. Po ashtu, Brukseli vëren se propozimet për të kufizuar pezullimin nga detyra të zyrtarëve gjatë proceseve penale “mund të dëmtojnë efektivitetin e hetimeve penale, përfshirë hetimet për korrupsion në nivele të larta, dhe koha e paraqitjes së tyre mund të kontribuojë në perceptimin e pandëshkueshmërisë”.
Megjithatë, vlerësimi për punën e SPAK-ut mbetet pozitiv. Komisioni thekson se struktura e posaçme “vazhdoi të demonstrojë pavarësi dhe kapacitete të forta për të dhënë rezultate pozitive në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, pavarësisht përpjekjeve të raportuara nga media dhe politika për ta diskredituar, ushtruar presion dhe ndikim të papërshtatshëm”.
Në një tjetër pjesë të raportit, Komisioni evidenton se gjatë periudhës së monitoruar pati edhe kërcënime fizike ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve, duke bërë që tetë magjistratë të vendoseshin nën mbrojtje. Raporti po ashtu përmend ngarkesën në sistem sidomos në gjykatën e Apelit dhe problemet e tjera përfshi mungesën e resurseve njerëzore.
Ndryshe nga theksi i vendosur nga raporti mbi presionin ndaj drejtësisë, Ministria e Drejtësisë, në reagimin e saj pas publikimit të dokumentit, u përqendrua kryesisht te vlerësimet pozitive.
“Raporti i këtij viti konfirmon se progresi i arritur në reformën në drejtësi po konsolidohet dhe se Shqipëria vijon të ecë përpara në përmbushjen e standardeve evropiane, në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian,” thuhet në njoftimin e ministrisë.
Ministria vuri në dukje gjithashtu se raporti vlerëson përfundimin e procesit të rivlerësimit kalimtar, rezultatet në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe përmirësimet në efikasitetin e sistemit gjyqësor, ndërsa pranoi se Komisioni identifikon edhe fusha ku nevojiten përpjekje të mëtejshme për forcimin e sundimit të ligjit./ Reporter.al/