Largohet nga Barcelona, talenti spanjoll firmos me Comon e Fabregasit
Andrés Cuenca është zyrtarisht futbollist i ri i Comos. Mbrojtësi spanjoll i ka dhënë fund aventurës së tij te Barcelona, duke firmosur një kontratë me klubin italian deri në verën e vitit 2030.
Transferimi është konfirmuar nga Como, që vijon të ndërtojë një skuadër konkurruese nën drejtimin e Cesc Fàbregas, me synimin për të qenë protagonist edhe në arenën europiane.
Trajneri spanjoll nuk i kurseu elozhet për afrimin më të ri të skuadrës së tij.
"Cuenca është një mbrojtës i ri me cilësi të shkëlqyera teknike, energji dhe forcë. Ai zhvilloi një rrugëtim të rëndësishëm në akademinë e Barcelonës dhe bëri debutimin me ekipin e parë në Ligën e Kampionëve. Është një mbrojtës modern, i qetë në posedimin e topit dhe me personalitet. Besojmë se mund të rritet shumë në projektin tonë dhe jemi të lumtur ta mirëpresim te Como", u shpreh Fàbregas.
Kalimi i Cuencës në Serie A konsiderohet një hap i rëndësishëm në karrierën e 20-vjeçarit, i cili tashmë do të ketë mundësinë të luajë rregullisht dhe të zhvillohet nën drejtimin e një prej trajnerëve më premtues të futbollit europian.