VIDEO/ Raporti i KE-së shuplakë për qeverinë Rama: Me Ballukun u shkel parimi i barazisë para ligjit
Përpjeka e qeverisë dhe partisë socialiste për tu bërë barrierë kundër drejtësisë në mbrojtje të Belinda Ballukut dhe degradimi i shëndetësisë, arsimit dhe çdo institucioni shtetëror nga korrupsioni ishin kryefjalë e raportit të Komisionit Evropian për Shtetin e së drejtës për 2026. Raporti shpreh shqetësimin mbi tkurrjen e mbikëqyrjes së qeverisë nga Parlamenti dhe po ashtu për mohimin e të drejtave Kushtetuese të opozitës në Kuvend, veçanërisht sa i përket kërkesave për ngritjen e Komisioneve hetimore.
Nga SYRI TV
Komisoni Evropian ka publikuar raportin për shtetin e së drejtë për 2026 për Shqipërinë përmes të cilit i ka dhënë një shuplakë të fortë, kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij. Mbrojtja e Belinda Ballukut nga ana e mazhorancës socialiste dhe shefit të saj Edi Rama, përmes refuzimit të kërkesës së SPAK për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres, ka zënë një vend thelbësor në këtë raport. Në dokument shprehet shqetësimi Në raportin voluminoz, shprehet shqetësimi për refuzimin e kërkesës për heqjen e imunitetit të Ballukut, çka sipas KE shkel parimin e barazisë para ligjit.
‘Në mars 2026, Parlamenti hodhi poshtë një kërkesë nga SPAK për të hequr imunitetin e një Anëtari të Parlamentit për akuzat për shkelje të barazisë në tendera . Ky refuzim ngriti shqetësime në lidhje me parimet e kontrollit dhe balancimit dhe të barazisë para ligjit131.
Paralelisht, një grup Anëtarësh të Parlamentit nga shumica qeverisëse propozuan ndryshime në Kodin e Procedurës Penale që synojnë zgjerimin e kategorisë së zyrtarëve që nuk mund të pezullohen nga funksionet e tyre, si masë paraprake, gjatë procedurave gjyqësore. Ndryshimet ngritën shqetësime se ato mund të pengonin efektivitetin e hetimeve penale, duke përfshirë hetimet e korrupsionit të nivelit të lartë, dhe se koha e tyre mund të kontribuonte në një perceptim të pandëshkueshmërisë.’, shkruan raporti.
Kritika të forta, raporti i KE, shpreh për ndërhyrjet e Edi Ramës dhe qeverisë në institucionet e drejtësisë, përfshirë edhe SPAK-un.
‘Përpjekjet e vazhdueshme nga zyrtarë publikë dhe politikanë, përfshirë edhe në nivelet më të larta, për të ushtruar ndikim të papërshtatshëm mbi institucionet e drejtësisë, si dhe sulmet personale ndaj magjistratëve, përfshirë ndaj SPAK-ut, vijuan gjatë periudhës së raportimit. Gjatë kësaj periudhe, u regjistruan disa kërcënime fizike ndaj prokurorëve të sistemit të drejtësisë, prokurorëve të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), drejtuesve të prokurorive, prokurorëve dhe ish-prokurorëve, si dhe ndaj ish-kreut të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).
Tetë magjistratë janë vendosur nën mbrojtje, përfshirë dy gjyqtarë dhe gjashtë prokurorë.Përpjekjet nga zyrtarë publikë ose politikanë, përfshirë edhe në nivelet më të larta, për të ushtruar publikisht ndikim të papërshtatshëm mbi institucionet e drejtësisë, si dhe sulmet personale ndaj magjistratëve në të gjitha nivelet, vazhduan gjatë gjithë periudhës së raportimit. Pezullimi nga detyra i një zyrtari të lartë, i urdhëruar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), në përputhje me dispozitat aktuale të Kodit të Procedurës Penale, si dhe kërkesa e SPAK-ut drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit parlamentar të këtij zyrtari, shkaktuan reagime të forta negative nga pushteti ekzekutiv dhe ai legjislativ, përfshirë sulme të drejtpërdrejta ndaj SPAK-ut dhe institucioneve gjyqësore.
Institucionet drejtuese të sistemit gjyqësor reaguan me deklarata publike, duke denoncuar presionin politik mbi drejtësinë. Sipas standardeve europiane, të gjitha pushtetet e shtetit duhet të nxisin dhe të mbrojnë besimin e publikut te institucionet kushtetuese, përfshirë edhe pushtetin gjyqësor.’, thuhet në raportin e KE-së.
Korrupsioni mbetet një shqetësim kryesor për Shqipërinë. Raporti identifikon pothuajse të gjitha institucionet e shtetit shqiptar sit ë cënueshme nga niveli I lartë I korrupsionit.
‘Megjithëse është miratuar dhe zbatuar një kuadër i strukturuar për vlerësimin e rrezikut të korrupsionit në disa sektorë me rrezik të lartë, nevojiten masa të mëtejshme parandaluese dhe të targetuara. Disa sektorë vazhdojnë të identifikohen si veçanërisht të cenueshëm ndaj rreziqeve të korrupsionit, veçanërisht shëndetësia, arsimi, prokurimet publike, partneritetet publik-private, zbatimi i ligjit, çështjet e pronësisë, tatimet dhe doganat. Integriteti i biznesit mbetet një fushë që kërkon vëmendje të veçantë.
Rreziqet e korrupsionit vazhdojnë të jenë të pranishme edhe në ndërmarrjet shtetërore ose pjesërisht shtetërore, të cilat kanë marrë përsipër përgjegjësi të rëndësishme publike, përfshirë prokurimet publike në sektorët e dixhitalizimit dhe infrastrukturës, ku përfshihen edhe fondet e Bashkimit Europian.
Transparenca në procedurat e prokurimit publik, veçanërisht në partneritetet publik-private, mbetet e kufizuar, sidomos sa i përket dhënies së statusit të investitorit strategjik. Ndërhyrja politike vazhdon të jetë e përhapur dhe kërkon vendosjen e garancive më të forta mbrojtëse’, shkruhet në raport.
Raporti shpreh shqetësimin mbi tkurrjen e mbikëqyrjes së qeverisë nga Parlamenti dhe po ashtu për mohimin e të drejtave kushtetuese të opozitës në Kuvend, veçanërisht sa I përket kërkesave për ngritjen e komisioneve hetimore.
‘Polarizimi politik vazhdon të ndikojë negativisht në funksionimin e punës parlamentare. Mbikëqyrja e Kuvendit mbi pushtetin ekzekutiv është tkurrur edhe më tej. Një numër kërkesash të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare u rrëzuan gjatë vitit 2025. Politizimi i emërimeve parlamentare në poste të larta të institucioneve kushtetuese ose të institucioneve të pavarura mbetet një problem serioz.’, thuhet në raport.
Sa i takon lirisë së medias, raporti i KE, vlerëson se liria e shtypit dhe siguria e gazetarëve vazhdojnë të përballen me dobësi të rëndësishme institucionale, ligjore dhe ekonomike.
Në shtyllën kushtuar pluralizmit dhe lirisë së medias, raporti vëren se gazetarët vijojnë të përballen me kërcënime verbale dhe fizike, intimidim, fushata denigruese dhe padi strategjike kundër pjesëmarrjes publike, të njohura si SLAPP.
Këto gjetje tregojnë se presioni ndaj gazetarëve nuk kufizohet vetëm te incidentet e drejtpërdrejta, por lidhet me një mjedis më të gjerë, ku mjetet politike, ligjore, ekonomike dhe reputacionale mund të përdoren për të penguar kontrollin publik ndaj pushtetit.