'Po rrezikohet sovraniteti ushqimor i Shqipërisë'/ Panariti: Shitja e tokës bujqësore te të huajt, një gabim fatal
Ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, ka kundërshtuar ndryshimin e destinacionit të tokës bujqësore dhe nismën për shitjen e saj te të huajt, duke i cilësuar këto zhvillime si kërcënim për sovranitetin e Shqipërisë.
Në një intervistë për Edvin Parrucën në SYRI TV, Panariti u shpreh se toka bujqësore duhet të shërbejë vetëm për prodhimin e ushqimit dhe jo për parqe energjetike apo investime industriale. Sipas tij, degradimi i tokës dhe ndryshimet ligjore që lehtësojnë tjetërsimin e saj po dëmtojnë bujqësinë dhe po thellojnë varësinë e vendit nga importet.
Ai paralajmëroi se shitja e tokës bujqësore shtetasve të huaj do të ishte një “gabim fatal”, pasi, sipas tij, do të cenonte sovranitetin ushqimor dhe interesat strategjike të vendit.
Panariti:
Kjo është një çështje që kapërcen thjesht interesat e zhvillimit ekonomik të vendit, dhe është çështje shumë më e madhe se kaq sepse ka të bëjë me sovranitetin e Shqipërisë. Pra, toka është sovranitet. Kush zotëron tokën, zotëron vendin. Të gjithë betejat që ka bërë Shqipëria në shekuj, janë bërë për të ruajtur tokën nga pushtuesit e huaj, që ajo të mbeteshe në zotërim nga shqiptarët, t'i shërbente zhvillimit të vendit, t'i shërbente zhvillimit të qytetarëve, të vendit, të ekonomive familjare. Pra kjo ishte dhe thelbi i të gjithë asaj rezistence qindra vitesh që ne kemi bërë ndaj pushtuesve të huaj. Ndërkohë që sot, në kohë paqeje për më tepër, po mundohemi që nëpërmjet nismave ligjore, të tokë të ashtuquajtur të, ta tjetërsojmë, dhe ta orientojmë në pronësi jo shqiptare. Po le ta ndajmë këtë në dy blloqe.
E para punës ju përmendët pak më përpara tendencën në rritje që toka bujqësore të ndryshojë destinacionin, dhe nga qëllimi i saj që për mua duhet të jetë i shenjtë, toka bujqësore shqiptare duhet t'i shërbejë një qëllimi: prodhimit të ushqimit për shqiptarët, prodhimit të mishit, të qumështit, vezëve, perimeve, frutave, për të ushqyer, për të garantuar atë që konsiderohet sovranitet ushqimor i vendit. Ky duhet të jetë qëllimi i shenjtë. Nuk mund të ketë asnjë lloj pretendimi tjetër për ta devijuar këtë destinacion të natyrshëm të tokës për të prodhuar për ushqim, për qëllime të tjera, për parqe energjetike, eolike, solar, diellor, panele diellore apo dhe për qëllime industriale. Shqipëria nuk e ka këtë luks. Unë jam i ndjeshëm dhe jam pro që Shqipëria duhet të diversifikojë furnizimin e me burime energjetike, për arsye se nuk është normale që ne të mbështetemi në masën 90% vetëm nga prodhimi i energjisë nga hidrocentralet. Por, jo në kurriz të tokës bujqësore. Shqipëria është 70% e mbuluar me kodra dhe male, dhe padyshim ka shumë hapësirë aty, në ato brinja, gërxhe, kodra, pa cenuar padyshim ekosistemet dhe biodiversitetin, për t'u dhënë hov investimeve të tjera balancuese të nevojave tona energjetike. Por jo në tokat bujqësore. Ajo që mua më ka bërë përshtypje është që tashmë është paraqitur dhe një projektligj, i parë disa herë me qëllime do të thoja djallëzore, ku zhvendoset kriteri i bonitetit. Pra, thuhet që në qoftë se një tokë është me bonitet të ulët, pra të ketë bonitetin tetë, atëherë lehtësisht kjo tokë mund ta ndryshojë destinacionin, nga tokë për prodhim ushqimor, në për qëllime industriale. Kjo është shumë djallëzore për arsye sepse për sa kohë që ti nuk investon në bujqësi, e lë tokën të djerrë, të pakultivuar, të pambrojtur, të pakulluar, të padrenazhuar, toka vetiu e humbet bonitetin e saj natyral. Pra, e degradon. E njëjta, e njëjta filozofi. Shumë mirë e kapët, një paralele e cila qëndron plotësisht.
Pra, praktikisht qëllimi është degradohet toka, dhe kjo bëhet duke mos e subvencionuar, duke mos e mbështetur, duke e lënë djerrë të pakultivuar, duke mos e mbrojtur nga erozioni, nga përmbytjet, e tjera, dhe kjo tokë pastaj degradon dhe bie pikërisht në kërkesat e ligjit, që është bërë apostafat. Kjo tokë degradon, bie në bonitetin tetë e poshtë, dhe ligji pastaj lehtësisht e ndryshon destinacionin e kësaj toke nga tokë për prodhim ushqimor. Dhe ju e dini që ne jemi në një deficit të rëndë ushqimor. Praktikisht Shqipëria importon shtatë dhe eksporton një, pra raporti është katastrofik. Dhe kjo reflektohet padyshim edhe në çmimet e produkteve ushqimore, të cilat tashmë kanë kapërcyer mesataren e Bashkimit Europian, ndërkohë që niveli i të ardhurave është i një vendi të botës së tretë. Dhe kjo në njëfarë mënyre është sinkron me atë që po ndodh realisht në bujqësi. Pra rrudhja e prodhimit bujqësor, lënia e tokave të pakultivuara, ndryshimi i destinacionit të tyre për qëllime ekstra bujqësore, praktikisht për parqe energjetike, ku siç thashë Shqipëria ka shumë mundësi të tjera paralele për ta zhvilluar dhe këtë sektor. Dhe ajo që të bën përshtypje, numri i lartë i liçensave nga ndonjëherë, jo nga ndonjëherë por shpeshherë, po qe se të ta shikoni, e keni parë dhe me emisionet investigative, që këto janë edhe bëhen edhe si favore nga pushteti për të ashtu...
Kjo është një konstatim që ju e bëni, është shumë i drejtë dhe është evident. Pra janë krijuar tashmë skemat klienteliste, favorizuese për të dhënë leje për investime, për parqe të tilla, ndërkohë që ka dhe një pikëpyetje të madhe. Ndërkohë që jepen liçenca për këto parqe në toka bujqësore, ku kjo nuk duhet të ndodhë, për mua duhet të ndalohet edhe me ligj. Shqipëria ka numrin më të vogël të sipërfaqes për frymë të popullsisë në Europë. Dhe këtë sipërfaqe duhet ta destinojmë vetëm për prodhim ushqimor. Por jepen këto liçenca, ndërkohë ju e dini që prodhimi i energjisë nga parqet diellore ka një specifikë: duhet të kesh kapacitete akumuluese, grumbulluese. Për arsye sepse nuk mund ta destinosh direkt në rrjet atë, pra duhet ta akumulosh. Ndërkohë po ta shikosh, kapacitetet akumuluese janë të themi rudimentare në krahasim me liçencat që jepen. Dhe kjo më bën të mendoj që ka diçka pas kësaj historie.
E cila ka dy qëllime. Në radhë të parë, duke dhënë liçenca për parqe diellore apo për parqe eolike, sepse edhe kjo është një opsion, ti largon popullsinë. Pra normalisht bizneset bujqësore që janë vendosur aty, nga pamundësia e investimit, e mbështetjes, në njëfarë mënyre largohen. Nuk janë më të interesuar, dhe ti tashmë i largon këta, dhe ato sipërfaqe të konsiderueshme ja bën në dispozicion një investitori për këto parqet energjetike.Largon gjithë fshatin për interesat e një sipërmarrësi. Dhe kjo është edhe qëllimi më ogurzi, pasi largimi i një komuniteti është shpërbërja e Shqipërisë, është largimi, zbrazja e fshatit dhe hemorragjia e pandalshme e largimit nga ky vend. E cila ka filluar nga fshati, kalon në qytete dhe pastaj më tej vazhdon në të gjithë Europën e madje në të gjithë planetin. Dhe kjo është një dëshpërim i madh, pra është një strategji.
Një strategji që bujqësia të zhbëhet, pra të ulim prodhimin bujqësor duke ndryshuar fillimisht destinacionin, duke dekurajuar investimet, mbështetjet financiare, dhe duke mos e mbështetur fermerin. Ai nuk ka mundësi ta punojë tokën, nuk ka mundësi ta plehërojë, nuk ka mundësi ta mbrojë, dhe ajo degradon. Ai është i çinteresuar tashmë për ta kultivuar dhe për rrjedhojë ajo tokë kalon në duart e tjera. Ndërkohë jo rastësisht kjo po shkon sinkron edhe me një nismë tjetër. Nismën e shitjes së tokës bujqësore te të huajt. Është një nismë e cila po ecën paralelisht me ndryshimin e destinacionit, kemi dhe një nismë tjetër ligjore që toka bujqësore mund t'i shitet edhe të huajve. Kjo për mendimin tim do të ishte një gabim fatal pasi do të cenonte jo vetëm thjesht sovranitetin ushqimor të vendit, për arsye sepse blerësi i huaj natyrisht mund ta përdorë atë për qëllime që nuk janë në interes të ekonomisë dhe të vendit.