Interi vendos çmimin për Kristjan Asllanin

Kristjan Asllani do të jetë pjesë e Interit në fazën përgatitore që skuadra zikaltër do të zhvillojë në Gjermani, por e ardhmja e tij mbetet larg Milanos.

Sipas raportimit të “La Gazzetta dello Sport”, mesfushori i Kombëtares shqiptare do të stërvitet normalisht me ekipin deri në momentin kur të mbërrijë oferta e duhur për transferimin e tij.

Deri tani, asnjë nga propozimet e ardhura nuk e ka bindur Interin, ndaj klubi ka vendosur ta mbajë përkohësisht në grup, në pritje të zhvillimeve të reja në merkato.

Raportohet se drejtuesit zikaltër janë të gatshëm ta lënë të lirë 23-vjeçarin për një shumë rreth 10 milionë euro.

Interes për Asllanin ka pasur nga disa klube të Serie A, ndërsa mbetet e hapur edhe mundësia e një huazimi me të drejtë ose detyrim blerjeje.

Mesfushori shqiptar nuk bën pjesë në planet e trajnerit Cristian Chivu për sezonin e ri, ndaj largimi i tij gjatë kësaj vere shihet si skenari më i mundshëm.

Ditët në vijim pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e Asllanit, me Interin që pret ofertën e duhur për të finalizuar transferimin.