SYRI TV/ Apeli lë në fuqi dënimin për Ilir Selmanin, Selmani është dënuar me 28 vite burg
Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, duke dënuar me 28 vite burg Ilir Selmanin për vrasjen e ish-policit Santiago Malko. Çështja u rishqyrtua në Apel nga një tjetër trupë gjykuese, pasi Shkalla e Tretë e Gjyqësorit konstatoi parregullsi. Selmani, ndërkohë, qëndroi disa javë në arrest shtëpie, pasi i përfunduan afatet e paraburgimit, ndërsa nga sot do të duhet të rikthehet në një burg të sigurisë së lartë për të vuajtur dënimin.
Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi dënimin me 28 vite burg për Ilir Selmanin, të akuzuar si pjesë e grupit kriminal që ekzekutoi ish-policin Santiago Malko. Çështja ishte rikthyer për rigjykim nga Gjykata e Lartë me një tjetër trupë gjykuese, pas pretendimeve për parregullsi në procesin gjyqësor, por Apeli konfirmoi vendimin e Shkallës së Parë.
Gjatë rishqyrtimit të dosjes, Selmani doli për disa javë nga paraburgimi, pasi përfunduan afatet ligjore të masës së sigurisë. Ai u vendos në arrest shtëpie, nën masa të rrepta policore për të shmangur largimin e mundshëm nga drejtësia.
Në vendim, Apeli përcakton se Selmani do ta vuajë dënimin në një burg të sigurisë së lartë dhe, pas përfundimit të procedurave, do të rikthehet menjëherë në qeli. Ndryshe nga seancat e mëparshme, ai nuk ishte i pranishëm në shpalljen e vendimit.
Santiago Malko u vra më 27 gusht 2019 në rrugën “Xhanfize Keko” në Tiranë. Sipas gjykatës, Ilir Selmani, si pjesë e grupit të njohur si “Klani Duka”, kishte mbajtur nën vëzhgim ish-policin para ekzekutimit. Ai i ka mohuar akuzat, por ka pranuar njohjen me vëllezërit Leonard dhe Elis Duka, të cilët SPAK i konsideron organizatorët e grupit kriminal. Më herët, për të njëjtën ngjarje, janë dënuar me 30 vite burg Leonard Duka, por u shpall i pafajshëm vëllai i tij, Elis Duka, ndërsa me nga 25 vite burg u dënuan Fatmir Hyseni, Aleksandër Manxhaku, Dritan Aga, Blendi Teta dhe Oltian Loga.